Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në rigjykim rastin ‘Pronto’.
Gjykata e Apelit më 30 qershor 2020 pati ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Pronto” dhe i kishte shpallur fajtorë Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin.
Ata ishin të dyshuar për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.
Në vendimin e Supremes, që është marrë më 19 prill, ky institucion ka aprovuar kërkesat e të akuzuarve për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.
Rastin e ka konfirmuar edhe avokati i Adem Grabovcit, Florent Latifaj.
“Po, po e ka kthy jo në Gjykatën e Shkalles së parë por në Gjykatën e Apelit, pasi kjo gjykatë e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Këta i ka shpallur fajtorë dhe Gjykata Supreme e ka dërguar kërkesën e ligjshmërisë prapë në Gjykatën e Apelit”, thuhet në përgjigjen e tij.
Po ashtu edhe zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu, e konfirmoi se rasti u kthye në rigjykim.
“Mundem t'ju konfirmoj që me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, lënda në rastin e A.G është kthyer në rigjykim”, tha Antigona Uka-Lutfiu.
Grabovci, i cili në nëntë raste u akuzua për shkelje të statusit të barabartë të qytetarëve në korrik të këtij viti u shpall fajtor nga Gjykata e Apelit për dy punësime të kundërligjshme, pasi paraprakisht ishte liruar nga akuzat nga Gjykata e Prishtinës.
Sipas Apelit, ai kishte krijuar privilegje në baza të përkatësisë politike në punësimin e Blerim Camajt dhe Afrim Dautit.
Bashkë me Grabovcin, me vendimin e Gjykatës së Apelit u dënuan edhe ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi dhe këshilltari politik Sadat Gashi.
Adem Grabovci u dënua me një vit e dy muaj burgim, Ilhami Gashi me një vit e katër muaj ndërsa Sadat Gashi me 8 muaj burgim.
Me këtë vendim, tre të dënuarit nuk shkojnë në burg në rast se brenda 2 viteve nuk do të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.