A e ka presidenti Biden prioritet dialogun Kosovë-Serbi?

Aktuale

A e ka presidenti Biden prioritet dialogun Kosovë-Serbi?

Më: 30 prill 2021 Në ora: 20:48
Joe Biden

“A e ka administrata Biden prioritet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë?”, kjo ka qenë njëra prej pyetjeve të cilën media ja ka parashtruar në intervistë publicistit shqiptaro-amerikan, Uk Lushi, e i cili thotë se SHBA nuk do të heqë dorë nga ky proces.

Siç thotë Lushi, Amerika nuk do të heqë dorë nga dialogu edhe për shkak të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike që pritet të ndodhin në të ardhmen.

Më poshtë, gjeni përgjigjen e tij të plotë:

Politika amerikane i analizon dhe studion sentimentet e popullatës shumë mirë. Temat të cilat popullatat e atyre vendeve ku Amerika është prezente janë prioritare, natyrisht që ato tema janë prioritare. Kjo ëshë aseti i vetëm dhe kryesor që e bënë atë popullatë pro-amerikane ose anti-amerikane. Nuk ka logjikë që Amerika të shkojë kundër prioriteteve të një popullate dhe ta konsiderojë atë vend miqësor dhe si aleat.

Sentimenti në Kosovë dihet që është si është për shkak të zhvillimeve, që janë të ndërlidhura edhe si rezultat i dështimeve të jashtme. Mirëpo, Amerika nuk do të heqë dorë prej dialogut për arsye se dialogu është po ashtu pjesë e atyre ndryshimeve të mëdha që fola, janë në shkallën e njëjtë, sepse Ballkani, Kosova, shqiptarët dhe kombet e tjera në Ballkan nuk e kanë fuqinë që të jenë aq determinues sa faktorët tjerë që i përmenda më herët, në aspektin global. Por, dialogu është pjesë e asaj arkitekture të re të sigurisë dhe gjeopolitikës që po tenton Amerika ta ndërtojë. Unë mendoj që fatkeqësisht, sa më shumë kohë që ta kalojë, unë mendoj që jemi vonuar për zgjidhjen e mundshme me Serbinë, mirëpo çdo vonim nuk do të shkojë në favor tonin. E përmenda edhe më herët çështjen e shteteve të vogla. Vendet e vogla shumë herë në një mënyrë janë edhe “collateral damage” e këtyre zhvillimeve të mëdha dhe kur interesat e mëdha janë në pyetje, atëherë as fuqitë e mëdha siç është Amerika për Kosovën, nuk mund ta vendosin interesin e atij që e mbrojnë si interes kryesor. Këtë nuk po arrijmë ne ta kuptojmë si Kosovë, po mendojmë se duke blerë kohë eventualisht e forcojmë pozicionin tonë, por nuk do të jetë ashtu për arsye se siç e parashtrova zhvillimet gjeostrategjike janë të tilla që nuk shkojnë në favor, nëse di t’i përdorësh, natyrisht që mund të fitosh. Por mënyra më e keq të mos përfitosh është që të largohesh nga tavolina, pra në këto raste ti gjithmonë duhet të jesh prezent në tavolinë dhe ta ushtrosh prezencën tënde, pavarësisht sa e vogël është dhe që së paku të kesh një plan i cili është i yti, pavarësisht se a pranohet 100 për qind si e paraqet ti.

Ne kemi marrë një pozicion, le të shikojmë dhe të presim çfarë po ndodhë, që sipas meje është pozicioni më i keq i politikës dhe elitave tona politike në Ballkan. Në Ballkan, Amerika ka interesa edhe në shtete të tjera, përfshirë Serbinë. Nuk ka asnjë dyshim, unë nuk e shoh këtë si të keqe sepse është normale, shtetet kanë interesa dhe nuk kanë dashuri siç mendojmë ne. A e dijmë që Kosova dhe shqiptarët janë aleat më të besueshëm se sa serbët, natyrisht, por edhe kjo shkon prap në atë konstalacionin që e përmenda edhe më herët të ripozicionimit gjeopolitik dhe ne fatkeqësisht, të gjithë ballkanasit, e kemi pranuar një imponim të jashtëm që do të na kushtojë të gjithëve që janë në Ballkanin Perëndimor.

Pse? Do ta ilustroj këtë me faktin se të gjithë janë duke krijuar një iluzion të ri, i është dhënë në njëfarë mënyre Serbisë roli i pilotit, kryesore dhe hegjemoniste aty. Po të kishte një regjion i cili do të ishte rajoni i Evropës Juglindore, që është më i saktë gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht edhe për Ballkanin se ky është krijuar si regjion në esencë në mënyrë denigruese për popujt që jetojnë aty. Të gjithë problemet që i kemi sot në Ballkan janë si rezultat i kësaj hegjemonie të krijuar nga Perandoritë që janë bërë në të kaluarën dhe pikërisht për shkak të imponimeve dhe improvizimeve.

Po të kishim një rajon të Evropës Juglindore dhe po ta shihte Amerika dhe Evropa Ballkanin si pjesë e kësaj Evrope, Serbia nuk do të ishte fuqia pilot në këtë rajon për arsye se aty do të kishim Hungarinë, Bullgarinë, në disa raste futen edhe Greqia dhe Turqia dhe në atë rajon, nëse e shohim edhe Ballkanin Perëndimor, do të fitonim shumë si shqiptarë, sepse aty rritet rëndësia e faktorit shqiptar të cilin ne nuk po dijmë ta shfrytëzojmë si duhet. Ne po fokusohemi vetëm në Kosovë, po harrojmë rëndësinë e shqiptarëve, dhe të Maqedonisë si shtet.

Nëse do të krijohej ky regjion i ri, do të krijohej balanca ku Serbia do të ishte njëri nga shtetet. Por, duke ia dhënë rëndësinë Serbisë, ne e kemi bërë atë fuqi përcaktuese, atëherë edhe politika amerikane dhe evropiane e sheh krejt rajonin me këtë referencë të Serbisë dhe kjo më pas natyrisht që Serbia po lozë edhe rolin e saj me Rusinë, që nuk është as me ata që mendojnë në Ballkan, “relacion vëllazëror”, por është rol i pastër.

Një lëvizje e mençur e Serbisë është edhe lidhja e saj me Kinën që e fut Serbinë në “Rrugën e Mëndafshit” që do të jetë edhe tokësore edhe ujore.

Shqiptarët janë defanzivë, presin që Amerika të bëjë diçka, nuk kanë ndonjë propozim. Nuk kanë ndonjë plan të vetin konkret. Ose edhe nëse e bëjnë ndonjë plan të vetin, bëhen prapa kulisave dhe jo në koordinim me faktorët shqiptarë, por me ata ballkanikë dhe të tjerë në Evropë.

Bota ka ndryshuar shumë dhe ne nuk e kemi parë këtë ndryshim dhe merremi ende me letra që natyrisht që janë të mira kur vijnë prej presidentit amerikan, por ato janë ndonjëherë edhe formale.

Nëse do të potencoja diçka nga ajo letër, sepse natyrisht luftimi i korrupsionit është detyrë e politikanëve tanë, për atë paguhen, që të na mbrojnë nga kjo e keqe shoqërore. Mirëpo, korrupsioni nuk është problemi kryesor as i Kosovës as i shqiptarëve kudo në Ballkan. Problemi kryesor janë sistemet, ne nuk kemi arritur të krijojmë sisteme. Kemi sistem arsimor katastrofal, kemi ekonomi katastrofale, dhe më kryesorja në këtë botë për Ballkanin, ka mundësi të krijohen katër skenar.

I pari skenar mund të jetë “status-quoja”, që është shumë e keq për ne, që të vazhdojmë në këtë gjendje në të cilën jemi, me Kosovën e cila nuk është e finalizuar, me Serbinë e cila është absolutisht armiqësore, mandej me Kosovën që nuk mund të hyjë në NATO dhe BE për shkak të pesë shteteve të cilat nuk e kanë njohur.

Një tjetër skenar mund të jetë skenari i eskalimit, i cili mund të çojë edhe në luftë. Unë e di që ka plot shqiptarë që mendojnë se janë kryer konfliktet, por as Jugosllavia as shkatërrimi i Jugosllavisë i imponuar dhe i improvizuar, nuk është përfunduar. Zgjidhja më e mirë, natyrisht që zgjidhja më e mirë do të jetë paqja, por nganjëherë paqja nuk varet prej teje por edhe prej faktorëve të tjerë.

Një skenar tjetër mund të jetë një skenar ku do të ndodhin ndryshime aq të mëdha, ku nuk përjashtohet mundësia e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, të jetë ndonjë bashkim po ashtu edhe e pjesës me Serbinë, të ketë bashkim të Federatës Kroato-Boshnjake me Kroacinë. Ka mundësi që brenda një kohe aq të shkurtë të ndodhin ndryshime aq të mëdha dhe problem im i vetëm dhe frika ime më e madhe nga këto ndryshime është që ne përsëri jemi të papërgatitur si shqiptarë në Ballkan, edhe në aspektin e armatimit nuk jemi ku është dashur të jemi.

Kanë kaluar 22 vite që prej përfundimit të luftës, kemi disa struktura fatmirësisht, mirëpo nuk jemi ku është dashur të jemi.

Ne duhet të jemi ata që duhet të jemi të gatshëm dhe të mos befasohemi nëse ka ndryshime dhe të veprojmë në koordinim, nëse nuk veprojmë në koordinim do të kemi problem shumë të mëdha në këto ripozicionime edhe në Ballkan edhe në kontinent në Evropë, por siç e përmenda krejt në fillim edhe në aspektin global.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat