Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Emilija Redxhepi, priti në takime të ndara përfaqësuesit politikë, kulturorë e shoqërorë të komunitetit goran në Kosovë, me rastin e 6 Majit, festës zyrtare të qytetarëve të komunitetit goran në Kosovë – Ditën e goranëve.
Në një fjalë rasti, kryeministri Kurti ua uroi të gjithë pjesëtarëve të komunitetit goran në Kosovë këtë ditë.
Kryeministri e vlerësoi të rëndësishëm rolin e komunitetit goran në forcimin e tolerancës dhe diversitetit në shoqërinë kosovare. Ai theksoi se e çmon lartë angazhimin e tyre në mbrojtjen e identitetit dhe ruajtjen e gjuhës, traditave dhe zakoneve.
Përfaqësuesit e komunitetit goran e uruan kryeministrin Kurti për detyrën dhe ritheksuan vullnetin e gatishmërinë e komunitetit për të kontribuar në zhvillimin e mëtejmë të Kosovës.