Shqipe Mehmeti-Selimi, ka reaguar pas debatit të fundit në media për akuzat e dikurshme të ministres së Jashtme Donika Gërvalla, ndaj bashkëshortit të saj Rexhep Selimi.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se postimet e vjetra që së fundi u bënë aktuale, i ka parë edhe vet Selimi, por sipas saj, nuk i ka vlerësuar të rëndësishme sa t’i komentonte, përcjell Bota sot.
Ajo ka thënë se nuk ka nevojë ta mbrojë Selimin, pasi siç ka paralajmëruar ajo, ish-deputeti i VV-së do të kthehet nga Gjykata Speciale dhe do të flas vet për këtë çështje.
Reagimi i saj në Facebook:
Po i lexoj e po i dëgjoj aty-këtu disa thirrje në adresën time se po u dashka të reagoj sa herë përmendet emri i Rexhep Selimit në opinion.
Për më tepër po kërkohet nga unë t’i komentoj edhe disa postime të viteve të kaluara!
Ato shkrime e postime të vjetra, që së fundi u bën aktuale, i ka parë edhe vet Rexha sa ishte në Kosovë, por nuk i ka vlerësuar aq me vlerë e as aq të rëndësishme sa t’i replikonte e t’i komentonte.
Prandaj, unë sot nuk kam nevojë t’ua rris vlerën atyre postimeve.
Rexhep Selimi nuk është në atë gjendje sa te ketë nevojë ta mbrojë bashkëshortja e tij. Atë e mbron e drejta, emri dhe vepra e tij. Ai nuk ka nevojë ta mbroj unë e as të flas në emër të tij.
Nëse ka nevojë, unë do ta bëj me shumë vullnet dhe me krenari. Por, Rexha do të kthehet dhe do të flas vetë, e atëherë shumë pikëpyetjeve do t’ju vihet pika.
Në ndërkohë unë do të vazhdoj të kryej me nder dhe krenari detyrën dhe mandatin që ma kanë dhënë votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje!.
Gërvalla, një vit më parë kishte akuzuar ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimin, se është "figurë e botës së krimit".