Analisti Jusuf Thaçi ka komentuar arrestimin e disa aktivistëve ditën e sotme nga ana e policisë së Kosovës. Thaçi thotë se veprimet e tilla janë të papranueshme në rastet nuk cenohet siguria.
Aktivistë të PDK’së dhe PSD’së u arrestuan sot pas disa aksioneve simbolike.
Nga PDK kërkuan dorëheqjen e Ministres së Punëve të Brendshme, Donika Gërvalla derisa pesë anëtarët e PSD’së u arrestuan pas një aksioni para Qeverisë që kishte synim kundërshtimin e ndarjes së 11 milionë eurove për pagesën e rrymës për serbët e veriut.
“Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Policinë e Kosovës duhet t’i japin fund praktikave të tilla të arrestimit të protestuesve në të gjitha rastet kur nuk cenohet siguria. Leni protestuesit rehat në të drejtën e tyre të shenjtë për protestë!’, shkroi Thaçi në Facebook:
Shkrimi i plotë në Facebook:
Arrestimi i protestuesve kur ata nuk paraqesin kurrfarë rreziku për askënd, është tërësisht i papranueshëm.
As dëmet minimale të pronës publike që shkaktohen nga protestat simbolike nuk janë arsye e qëndrueshme për arrestimin e protestuesve, aq më pak për arrestim të dhunshëm.
Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Policinë e Kosovës duhet t’i japin fund praktikave të tilla të arrestimit të protestuesve në të gjitha rastet kur nuk cenohet siguria.
Leni protestuesit rehat në të drejtën e tyre të shenjtë për protestë!