Paralajmërimin për padi për gjenocid për Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten e kanë mirëpritur Qendra ‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur’ me bazë në Zvicër.
“Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje me Qeverinë e Kosovës se padia për gjenocid duhet të jetë e përgatitur mirë, në mënyrë që të dalim fitues nga ky proces për arritjen e drejtësisë për viktimat e gjenocidit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e kësaj qendre.
Sipas kësaj qendre arritja e drejtësisë për gjenocidin në Kosovë do t’i kontribuojë paqes në këtë pjesë të botës dhe do të jetë një kontribut për parandalimin e akteve të tilla të shëmtuara në të ardhmen anekënd botës.
Kurti e ka ripërsëritur edhe njëherë që Kosova do të bëj padi ndaj Serbisë për gjenocid gjatë luftës së fundit.
“Kemi filluar punën për ngritjen e padisë për Serbinë. Do t’iu njoftojmë për këto përgatitje. Janë përgatitje gjigante, dhe një rast i tillë nuk guxon të humbet. Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, dhe kjo e meriton një padi. Dhe Qeveria e ka obligim ndaj historisë dhe ndaj ardhmërisë sonë”, tha Kurti të premten.
Edhe ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, disa herë është zotuar se Kosova do të bëjë padi kundër Serbisë për gjenocidin e bërë në Kosovë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur as pas dy dekadave të përfundimit të luftës në Kosovës.
Sipas publikimit të Fondit për të Drejtën Humanitare gjatë periudhës 1998-2000 në Kosovë janë vrarë dhe zhdukur 13.535 njerëz.