Ish-deputetja e Kosovës, Donika Kadaj, është raportuar se është në mesin e një grupi kosovarësh prej 50 personash nga “Kosovo Mountain Club” të cilët kanë dalë për ‘hiking’ në veri të Kosovës.
Ata e kanë ndërruar drejtimin e ecjes, pasi në zonën e Zubin Potokut kanë hasur në dy persona të panjohur, të cilët kanë shtënë me armë zjarri.
Kadaj është lajmëruar nga Mitrovica me një fotografi të postuar në Facebook.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/May/09/auto_ggg1620554930.jpg)
Nga ky incident nuk është lënduar asnjë person, ndërsa detaje për rastin ka dhënë një nga zyrtarët e këtij klubi.
“Grupi ka qenë duke bë hiking (ngjitje), në malet mbi liqenin e Ujmanit, dy persona kanë shkrep përpjetë me armë zjarri, pas kësaj grupi ka marrë vendim me u kthy. Kanë qenë pjesëmarrës rreth 50 persona në grup, nuk ka të lënduar, grupi është në rregull. Grupi ka vazhdu me ecë për në Shalën e Bajgorës”, tha njëri nga ta .
I pyetur nëse rastin e kanë raportuar në polici, ai tha se rastin e kanë lajmëru në policinë e Zubin Potokut, dhe policia atje paraprakisht kanë qenë të njoftuar me email për ecjen e grupit në atë zonë.
“Incidenti ka ndodhur diku rreth 30 metra largësi, grupi vazhdon me ecë”.