Njëri nga udhëheqësit e Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, përmes një postimi në facebook ka shkruar se SHIK-u nuk ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“SHIK nuk ka qenë strukturë e UÇK-së, prandaj akuzat dhe kritikat ndaj SHIK-ut nuk janë akuza e kritika ndaj UÇK-së!”, ka shkruar Kelmendi.
E në këtë postim, Kelmendi iu është kundërpërgjigjur shumë komentueseve lidhur me krijimin e SHIK-ut.
Kelmendi në njërën nga komentet, ka shkruar se SHIK-u është krijuar nga Hashim Thaçi.
“E ka krijuar "kryeministri" Thaçi, pas çlirimit, për luftë politike e kriminalitet të organizuar. Gjatë Lufte UÇK-kishte Kundërzbulimin e saj si strukturë“, shkruan Ibrahim Kelmendi.
E njëri nga komentuesit, Kelmendit i ka shkruar se SHIK-ut është krijuar që nga viti 1997.
Por këtë e ka mohuar Ibrahim Kelmendi.
“Jo, në qershor 1999 e ka krijuar "kryeministri" Thaçi, me urdhër të padronëve të tij, nga disa mercenarë të SHISH-it, por jo me mbështetje zyrtare të SHISH-it.”, ishte përgjigja e Ibrahim Kelmendit, përcjellë “Bota sot”.
“SHIK-un e ka krijuar "kryeministri" Thaçi (nuk ishte kryeministër, por marionetë...), pas çlirimit, për luftë politike e kriminalitet të organizuar. Gjatë Lufte UÇK-kishte Kundërzbulimin e saj si strukturë”, ishte ky edhe një nga komentet e Ibrahim Kelmendit në përgjigje të pyetjeve të komentueseve të ndryshëm.