Në Kizhevak të Rashkës në Serbi kanë rifilluar sërish gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, këto gërmime ishin ndërprerë më 5 maj.
Nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve, me qëllim të krijimit të mundësive për të vazhduar me zhvarrosjen e eshtrave, mbetjeve mortore, të viktimave të luftës, është bërë dekonservimi i terrenit për të filluar me gërmimet vlerësuese, përfshirë edhe largimin e dheut dhe gurëve të hedhur në këtë lokacion të varrezës.
“Gërmimet do të vazhdojnë në këtë lokacion edhe javët në vijim, deri në vlerësimin e plotë të tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe zhvarrosjes së të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që mund të jenë në këtë lokacion”.
“Pjesë e gërmimeve janë ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe institucioneve të Serbisë”.
Derisa të shtunën, lokacioni i varrezës masive në Kizhevak, Serbi, është vizituar edhe nga një delegacion i lartë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.
Ekspertët mjekoligjorë të Kosovës, do të vazhdojnë të jenë në lokacionin e varrezës masive deri në përfundim të këtij procesi, në veçanti pas konfirmimit edhe përmes analizës së ADN-së se mbetjet mortore të zhvarrosura në fund të vitit të kaluar iu përkasin viktimave të masakrës së Rrezallës.