Aktori Çun Lajçi, i cili ka javë të tëra që po përballet me covid-19, ka shkruar përsëri nga spitali ku po qëndron i shtrirë.
Ai kësaj radhe ka kritikuar komandantët e partive politike që sipas tij, e shiten edhe vetveten e tyre.
Ai shkruan se nuk është krejt amhak e as budalla jo, ku kërkon që mos të flasin...
“Jo s’jeni teveqela, jeni sy shplamë që skuqeni veç kur iu rrehet teneqja e iu hapet gropa. Atëherë iu çelën sytë e iu bie ndërmend gjaku i tri shkronjave e n’kor krrokisni: UÇK, mos e prek! Taman si dikur kur ishte ai viti 99-të, e vjedhej e uzurpohej n’emnin e Lirisë!”, shkruan Lajçi.
Postimi i plotë:
Mos folni se e di
Unë krejt-krejt ahmak s’jam, por as ju krejt-krejt budallë jo!
Teveqela deri n’skaj e t’mbushun sherr deri n’fyt, po.
Për gjynahe e dini vet, se gishtat tuej e dinë ku i kanë ngatërrue pejtë. Ku kanë lidhë nye tri herë e ku kanë pre gërshanë!
Për veti po flas, juve jo. Mua m’duhen hala pak mend (si juve pak lek mbështjellun n’dhjam) e po mundohna m’e rreh teneqën për ata që lugën e çojnë mirë deri n’gojë.
Por ... goja s’asht gjithçka, se aty përpihet deti e shterret lumi e prap zorrët mjaullojnë!
Sahani asht o truthamë, sahani, ai që duhet mbushë sot e nesër e gjithmonë. Sahani si atdheu asht, po u zbraz zor se mbushet ma! E ju e zbrazët lamën! Djemtë ikën ku pula hanë gurë e pleqtë mbeten me folë me vorre!
Ju i zbrazët dje se mendet e shkurta s’iu lanë me i shti n’xhepa fjalët e mëdhaja e menduet vetëm për lugën që zbrazët n’gojën tuej, lug mullini.
Jo s’jeni teveqela, jeni sy shplamë që skuqeni veç kur iu rrehet teneqja e iu hapet gropa. Atëherë iu çelën sytë e iu bie ndërmend gjaku i tri shkronjave e n’kor krrokisni:UÇK, mos e prek!Taman si dikur kur ishte ai viti 99-të, e vjedhej e uzurpohej n’emnin e Lirisë!
Ju as krejt budallë s’jeni. Sherra po e ahmak me strajca, që dini mirë t’mashtroni për dy kokërrat tona!
Kur iu mushet huxhuti vesheni me kravata e flokët me gjel i shkelqeni e t’ia filloni me çukatë kryet tuej! Jo, pritni, edhe kokërrat tona i hani se haram i moret e haram ua dhamë!
Por jo! Ju s’keni faj, se edhe ne jemi ba si ju:Aty ku asht grushti aty edhe koka! Ma mirë me na i thye neve rrashtat se juve duert me ua lidhë me pranga! Haram ju haram na që votojmë për rrenca, gojëqenefa e hajna! Prandaj jam ulë n’shtratin me pika gjaku t’thamë e këlbaz virusi e shkruej për veti, jo për juve që keni mbetë kacavarë n’lozë kungujsh tue sha edhe krijuesin edhe çliruesin edhe gjakun tuej.
Për veti po shkruej që s’po muj me u pajtua me 20 vite lirie n’andrra!
Sefaja iu dalldisi e fukarallaku ynë iu nxorri mendësh! Notoni n’shurrën tuej deri sa t’vjen vjeshta se bryma ndoshta ua djegë lulëkungullin n’krye e helmin për vllaun e atdheun n’gjuhë!
E thojsha dikur: Ky dhe nuk falet, ky dhe nuk shitet!
Ata e shitën edhe vetvetën e tash kanë mbetë me ba sevape me iftare!
Ani kush?
Komandantat e partive!
Hapu tokë!
Spital,10.05.2021