Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare pritet që të fillojë në muajin qershor të këtij vitit.
E para se të niset për në Bruksel ku edhe do të rifillon dialogu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’i takojë liderët e partive opozitare në vend.
Lidhur me takimin që Kurti pritet ta ketë me liderët e partive opozitare në vend, ka folur zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.
E pyetur se a do të marrë pjesë LDK-ja në këto takime, ajo tha se ende nuk kanë një ftesë zyrtare përveç atyre që janë deklaruar për media, e që sipas saj, nuk janë serioze.
“Ende nuk mund të deklarohemi se për çfarë ftese bëhet fjalë, ftesat e ardhura nëpërmjet mediave nuk duken serioze përderisa ende nuk ka një ftesë zyrtare për takim”, tha shkurt ajo.
Ndërsa sa i përket përfshirjes së LDK-së në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Halimi, tha se LDK-ja, ka vendosur që kontributin e saj për dialog ta jap nëpërmjet Kuvendit si parti opozitare.
“LDK-ja është pozicionuar që ta jep kontributin në dialogun e Kosovës me Serbinë nëpërmjet Kuvendit duke e luajtur rolin e opozitës, çështja e dialogut e udhëheqjes faktikisht i takon Qeverisë së Republikës së Kosovës, derisa ne ende nuk e kemi një platformë të qartë se si do të zhvillohen këto bisedime”, deklaroi Halimi.