Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje Qeverisë së vendit që urgjentisht të nis përkrahjen për prodhuesit vendor.
“Është e domosdoshme që qeveria të ndërmarrë veprime konkrete për të ndalur thellimin e deficitit të bilancit tregëtar, përmes përkrahjes direkte të prodhuesve vendor, veçanërisht të eksportuesve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Postimi në Facebook:
Të dashur qytetarë,
Ekonomia e vendit kërkon vëmendje të përhershme. Është e domosdoshme që qeveria të ndërmarrë veprime konkrete për të ndalur thellimin e deficitit të bilancit tregëtar, përmes përkrahjes direkte të prodhuesve vendor, veçanërisht të eksportuesve.
Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, për Tregëtinë e Jashtme të Mallërave në Kosovë, për muajin mars 2021, tregojnë për rritje të deficitit tregëtar në shkallë 45.8% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Deficiti i cili në marsin e kaluar ka qenë 219.9 milionë euro, në marsin e këtij viti ka arritur në 320.7 milionë.
Thellimi i mëtutjeshëm i raportit të tregëtisë së jashtme në disfavor të eksportit, është rrënim i atyre pak të arriturave të deritashme dhe kthim i ekonomisë së Kosovës në pikën zero.
Andaj, e ripërsëris që qeveria urgjentisht të nis përkrahjen për prodhuesit vendorë dhe eksportuesit.
RH