Daut Haradinaj i AAK-së ka kritikuar punën e Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia.
Thotë se ai mund të jetë “djalë i mirë” por jo i duhuri për të kryer punën në pozitën që mban.
Haradinaj ka kujtuar vdekjen e studentit Agon Musliu për të cilën thotë se Vitia duhet të përgjigjet.
“I shkreti ai (Vitia), mund të jetë djalë i mirë por nuk duket që është menaxher i zoti. Po e shohim tash, çdo vendim që po e merr po i del më skandal se tjetri”, thotë Haradinaj.
“Kjo afera me projektin e barnave te kompania që i ka punuar deri në momentin që e ka marrë detyrën në ekzekutiv. Ajo është rast për Prokurori dhe duhet me u hetuar. I dolën dy a tri (afera)”, shtoi ai.
“Është rasti ku studenti ose i riu e ka mbyt vetën në konvikt. Ai është rast për Prokurori. Përgjegjësit duhet me dalë para drejtësisë. Nuk domethënë që këto raste vjetrohen, del një prokuror dhe shkon e pyet pak. Pavarësisht mindilit të bukur që mund të kesh para drejtësisë nuk të amneston”, theksoi Haradinaj.
“Nuk besoj që është menaxher i zoti. Vazhdoj me besuar që s’kemi ministra, ne kemi vetëm kryeministër”, përfundoi ai.