Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, i cili po qëndron në spital tash e disa ditë, ka treguar për vizitën e djeshme të ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia në spitalin e Pulmologjisë në Prishtinë.
Lajçi ka treguar se Vitia ishte dje në këtë klinikë, por nuk e ka takuar artistin, përcjell Bota sot.
Ai ka thënë se ministri ishte aty për punë “ngarkim shkarkimi”, teksa ka thënë se i ka mbetur merak që t’i tregonte atij për kushtet e mjerueshme në këtë spital.
“I gatshëm me i thanë: S’pari futu n’tualet e n’podrumin për rentgenografi e pastaj eja të ne në dhomë! Shkeli me kambët tua gërmadhat e mykuna që t’keshë çka me i folë sonte miletit! Por, qafa me mbeti e shtrembnueme”, ka shkruar Lajçi në një postim në Facebook.
Reagimi i tij i plotë:
Unë dje u qetha pak, që të dukem prapë artist.
Orën s’e shikova, se nji dromcë kujtimi po m’ikte, e me gishtin që dridhej, po mundohesha me shkrua (n’iphonin e dhuruem nga nji mërgimtar), që t’mbetët dëshmi se si sistemet pak a hiç ndryshojnë!
Atje, n’hotelin e Komitetit Qëndrorë, n’Gërmi të kroni, në nji dhomë po xhirohej atë ditë nji skenë nga “Era e Lisi”, me Abdurrahman Shalën, Faruk Begollin dhe mua!
Besim Sahatçiu ishte me kamerë n’dhomë.
Ne, duhej hapë derën e Lisit (Abdurrahmanit) me iu ankua, se si “dërzhava” na e kishte shtrua fort zullumin n’Ahishtë me “otkupin”!
Kur që, vjen roja e Kolë Shirokës dhe e shtynë Abdurrahmanin.
“Makni se” largohu, se po vjen shoku Kolë i thot!
Artisti u step. Nguli kambë dhe i bërtiti serbisht:
Si guxon me m’shty? A din ti se jam artist? Kush asht Kolë Shiroka për mua more analfabet!
Heshtëm të gjithë!
Ishin fjalë t’randa për nji funksioner t’rangut t’lartë n’vitet 80-ta, por Abdurrahmanit s’i shkrepi syni!
Kola hyni ndërmjet tue u luhatë pak. Shifej se kishte pi. I bërtiti rojës, por artistëve u kërkoi falje tue iu dëshirue që filmi t’ketë sukses! Dhe u fut n’dhomën e gjumit!
Kjo po m’ikte dje n’mëngjes kur rojet e sigurimit të Pulmologjisë, u futën n’dhomën time B/1 e i nxorren dy djemtë e Ademit t’Nekovcit, Milaimin e Murselin, që njeni kujdeset për babën natën e tjetri ditën.
Dilni jashtë. N’oborr dilni, se po vjen Ministri Vitia për vizitë të artisti!
E çova kryet mos po e shoh Abdurrahmanin tue bërtitë, por jo, s’isha n’Gërmi, isha n’spital e ministri ishte të drejtori, për do punë “ngarkim shkarkimi”.
Motrat u turrën si pulat kur iu bjen xheraçina me i rregullua çarçafët, e me na mbulua që të dukemi pedant!
U mbështeta n’mur dhe e ktheva kryet kah korridori. Prita me ia pa mjekrrën e faculetën e kuqe n’xhepin e vogël të setrës!
I gatshëm me i thanë: S’pari futu n’tualet e n’podrumin për rentgenografi e pastaj eja të ne në dhomë! Shkeli me kambët tua gërmadhat e mykuna që t’keshë çka me i folë sonte miletit!
Por qafa me mbeti e shtrembnueme.
S’kam kohë për vizita, sikur kishte mërmëritë, se të salla 1 Tetori po vlojnë njerëzit si buburrecat!
Unë ofshana!
Eh, t’paktën Kola na përshendeti e na dëshiroi punë t’mbarë, po jo edhe shërim t’shpejt Vitia!
Ndrruekan kohnat, ndryshuekan sistemet, por jo edhe njerëzit për t’mirë, i thashë nipit tim Zenel Idrizit, që u fut me Metë Çekun n’dhomë, me dorëza t’bardha e me maska!
Të vjen Qyshku artist me t’pa, aty ku asht ba masakra, se ministrat i thejnë rrugët kur iu dalin të shtrembta. Harroi filmat e kohët e arta, m’tha Zenga dhe me mori ngryk!
Meta m’foli për luaneshën e kulinë!
Kulia i thoshte unë i pjelli 6 këlysh. Luanesha i thoshte m’le rehat. Kur e mërziti ia ktheu.
Unë veç nji e pjelli por ai asht luan!
E ty t’kemi nji poet, nji artist, nji lahutar, nji luan rugovas, e ministrat pjellin n’çdo fushatë!
Ata s’e kanë me nga nji, si luanesha, dhe morën rrugë për Pejë!
Kryesorja unë dje i qetha pak mjekërr e mustak dhe i ndrrova pizhamat që të dukem prap artist!
Pulmo, 15.05.2021