Njohësit e arsimit vlerësojnë iniciativën për të siguruar falas arsimin e lartë.
Vazhdimisht kritikohet cilësia e arsimit në vend.
E për të përmirësuar një gjendje të tillë, janë paraparë hapa edhe me planprogramin e Qeverisë së Kosovës.
Madje një fokus më i madh po vlerësohet se është në arsimin e lartë.
Sipas Gramos Buçincës nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ka disa intervenime pozitive në këtë aspekt.
Sipas Buçincës, planprogrami për arsimin e lartë është më i detajuar.
Por thotë se duhet të analizohet mënyra se si do të arrijnë që të jetësohen planet e parapara.
Ndërsa profesori universitar Blerim Rexha, thotë se një ndër vendimet pozitive të këtij planprogrami është mbështjetja e Agjencisë Kosovare për Akreditim.
Sipas Rexhës, pozitive është edhe iniciativa për të siguruar arsimin e lartë falas, e që sipas tij është vendim që është dashur të merret kohë më parë.
Mirëpo ai ka disa kritika sa i përket ristrukturimit.
Ndërkohë nga Ministria e Arsimit është thënë se në arsimin e lartë synojnë integritet të plotë dhe përmirësim të cilësisë.