Kryetari i Republikanëve të Kosovës Faton Kurti, ka thënë se kombin shqiptar nuk e vranë pushtuesit, nuk e zhdukën uzurpatorët dhe se nuk ka vdekur e as nuk është në prag agonie.
Kurti përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se trojet dhe kombi shqiptar po përjetojnë sot plagosjen e ëndrrës për t’u bërë bashkë.
Ai shkruan se mes shqiptarëve ka ende njerëz, e ai është një prej tyre, që besojnë se e ardhmja e shqiptarëve është ribashkimi kombëtar.
Ja postimi i tij:
KOMBI SHQIPTAR NUK KA VDEKUR E AS ËSHTË NË PRAG AGONIE.
Nuk e vranë pushtuesit, nuk e zhdukën uzurpatorët, nuk e varrosën antishqiptarët.
Trojet dhe kombi shqiptar po përjetojnë sot plagosjen e ëndrrës për tu bërë bashkë.
Kjo u mundësua jo vetëm nga puna e pandalur e armikut, por më së shumti nga intrigat, pazaret e ulëta të matrapazëve politikë, padijes dhe mungesës së kurajos së amatorëve politikë, ligësisë dhe grykësisë së sharlatanëve veshur me kostume patriotizmi.
Mes shqiptarëve ka ende njerëz, e unë jam Një prej Tyre, që besojnë se e ardhmja e shqiptarëve nuk është vegjetimi në copëza shtetesh por përpjekja për një qëllim të vetëm - Ribashkimi Kombëtar!
Megjithëse është punuar fort që të humbasim identitetin, të ç'orientohemi nga rruga e ndërtimit të projektit të përbashkët kjo Ëndërr-Projekt dhe amanet i të parëve nuk ka vdekur tek shqiptarët.
Shqiptarë, mos lejoni t'ua vjedhin shpresën, mos lejoni askënd t'ua vrasë ëndrrën, mos i besoni ata që ju thonë : "jemi të vegjël, nuk kemi forcë".
Nëse bëhemi bashkë, duke lartësuar mendjet, të diturit dhe kurajozët mes nesh, ëndrra Kuq e Zi nuk do të mbetet një ëndërr në sirtar por amanet i përmbushur ndaj paraardhësve që me gjak dhe mendje luftuan për këto troje të shenjta.
Faton Kurti