Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se rasti i abuzimit seksual në oborrin e një shkolle në kryeqytet, dhe incizimi i ngjarjes shpërfaq qartazi gjendjen reale me të cilin janë duke u ballafaquar fëmijët tanë.
Ky reagim nga Halimi vije pasi dje u raportua se një vajzë e klasës së parë u sulmua seksualisht në një shkollë të Prishtinës.
Halimi shprehet se për shkak të mungesës së informacionit dhe vetëdijes së nxënësve, aktet e tilla po shndërrohen në akte “trimërie”.
Andaj, ajo thekson se ky rast, duhet të jetë alarm, për shkollat dhe sistemin arsimor, përcjell “Bota sot”.
Ja shkrimi i saj:
Shkolla është vendi ku fëmijët duhet të edukohen për të drejtat e barabarta. Padrejtësitë, misogjenizmi, diskriminimi e abuzimi i shfaqur në shoqëri, në shkollë nxënësve duhet t`u jepet mundësia për t`i ndryshuar botëkuptimet patriarkale ndaj gjinisë.
Rasti i abuzimit seksual në oborrin e një shkolle në kryeqytet, incizimi i ngjarjes shpërfaq qartazi gjendjen reale me të cilin janë duke u ballafaquar fëmijët tanë. Në mungesë të informacionit dhe vetëdijes të nxënësve, aktet e tilla shndërrohen në akte “trimërie”. Andaj, ky rast, të jetë alarm, për shkollat dhe sistemin arsimor. Arsyetimi i shkollës, që kjo ngjarje ka ndodhur jashtë procesit mësimor, është vetëm vazhdimësia e problemit me të cilat ballafaqohet arsimi ynë. Derisa, publikimi i videos nga mediet është shkelje flagrante e të drejtave të fëmijëve.