Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reguar në lidhje me sulmin seksual që ka ndodhur ndaj një nxënëseje të klasës së pare, në shkollën “Faik Konica”.
Presidentja Osmani tha se është koha e fundit të luftojmë mendësinë ku vajzat vazhdimisht ngacmohen e rriten me idenë që duhet të mbrohen, të kenë kujdes, e të privohen.
Ajo u shpreh se ky rast ka shpërfaqur nevojën urgjente të adresimit të çështjes së sigurisë për nxënësit e fëmijët në çdo rrethanë e çdo ambient.
“Sot kam biseduar me ministrin e Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla dhe ministren e Arsimit, znj.Arbërie Nagavci, të cilët më kanë siguruar që me prioritet dhe profesionalizëm po e trajtojnë rastin në fjalë”, deklaroi presidentja Osmani, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Nuk është vetëm një rast i izoluar i ngacmimit seksual! Fatkeqësisht, është një pasqyrë e trishtë e një situate të rëndë në shoqërinë tonë.
Prindër të dashur,
Është koha e fundit të luftojmë mendësinë ku vajzat vazhdimisht ngacmohen e rriten me idenë që duhet të mbrohen, të kenë kujdes, e të privohen. Tani, si kurrë më parë, është koha të edukojmë djemtë tanë të trajtojnë motrat e shoqet e tyre të klasës si të barabarta me ta, e me respektin dhe dashurinë që ato e meritojnë.
Rasti i ngacmimit seksual të vajzës së mitur nga disa fëmijë poashtu të mitur, shpërfaqë nevojën urgjente të adresimit të çështjes së sigurisë për nxënësit e fëmijët në çdo rrethanë e çdo ambient.
Sot kam biseduar me ministrin e Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla dhe ministren e Arsimit, znj.Arbërie Nagavci, të cilët më kanë siguruar që me prioritet dhe profesionalizëm po e trajtojnë rastin në fjalë.
Është përgjegjësi e jona kolektive për të punuar me ngulm që raste të tilla të mos përsëritën. Ne duhet të krijojmë siguri maksimale për vajzat e djemtë tanë, kudo që ndodhen ata: në rrugë, apo në shkollë. Siguria për ta është investim në të ardhmen e tyre.
Siguria, mirëqenia, dhe e drejta e tyre për një fëmijëri të qetë, pa dhunë e në mirëqenie, duhet garantuar në çdo rrethanë dhe me çdo kusht!