Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar sot Programin e Qeverisë Kurti, duke thënë se është një dokument sipërfaqësor, pa masa dhe pa zgjidhje se si do të adresohen problemet.
Abdixhiku më tej tha se kanë pritur 60 ditë për një dokument 60 faqesh të Qeverisë, për një dokument që nuk ka as argumente e as ide.
“…Një ndër dokumentet më sipërfaqësore, që nuk përmban masa e as kohë….Nuk thotë asgjë se çfarë problemesh ka e si do të adresohen. Çfarë do të bëhet e si do të duket vendi pas katër vjetësh”, u shpreh deputeti i LDK-së, njëherësh kryetar i partisë.
Sipas tij, deklaratat “do të bëjë politika të mira” nuk janë masa por vetëm parulla.
“Nuk e keni të qartë se çfarë do të bëni tash që jeni në pushtet”, u shpreh Abdixhiku, duke përsëritur se programi i Qeverisë Kurti është i thatë.