E plotësuar (16:04) - Kuvendi i Republikës së Kosovës, të enjten, më 20 maj në orën 10:00 do të mblidhet në seancë të rregullt plenare.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Në seancën e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të ketë interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në lidhje me shtesat e pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë.
Pas interpelancës, Kryesia vendosi pikë të rendit të ditës edhe propozimin e Avokatit të Popullit bashkë me rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në lidhje me zgjedhjen e 5 zëvendës-avokatëve të Popullit.
Kryesia po ashtu futi si pikë të rendit të ditës në seancë votimin lidhur me përbërjen e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.
Ndërsa Kryesia vendosi që debati parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19, pikë që nuk ishte diskutuar në seancën e 6 majit për shkak të mungesës së iniciuesit, si dhe debati parlamentar në lidhje me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID—19, të zhvendosen për një datë tjetër.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia po ashtu procedoi për në Qeveri Projektligjin për ndryshimin e Ligjit nr.05/L-132 për Automjete. Po ashtu miratoi raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2020 dhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit për tremujorin e parë të vitit 2021, konform rekomandimeve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Kryesia shqyrtoi edhe çështje tjera që kanë lidhje me fushëveprimtarinë e Kuvendit.
***
PDK lëshon mbledhjen e Kryesisë, akuzojnë Kusari-Lila se i ofendoi
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, njoftoi se kjo parti ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë, pasi siç thotë ai ka pasur ofendime nga shefja e GP-së të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
“Së bashku me nënkryetarin e Kuvendit lëshuam mbledhjen e Kryesisë për shkak të ofendimeve që vijnë nga zonja Kusari e cila përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje”.
“Zonja Kusari është e fundit që ka dedicite të mëdha morale që deputetët e opozitës me u thënë se më shumë ngjasojnë më banda se me deputet”, u shpreh ai.
“Paaftësia e tyre me ec për zhvillim po i shtynë ata me ndal temat e partive opozitare”.
“Ritëm shumë i dobët dhe i ngathët po ndodhë në vendin tonë që tregon paaftësi të ministrit dhe kryeministrit”.
“Bojkoti nuk është praktikë e jona. Kësaj Qeverie mund t’i konvenoj kjo zhurmë e rrëmujë që mos me u kujtua pagesa e energjisë elektrike për qytetarët në veri”.
***
Kuvendi gjatë ditës ka diskutuar për Programin e Qeverisë.
Kryesia e Kuvendit ka mbajtur mbledhje, për të vendosur në lidhje me kërkesën për interpelancë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”.
Po ashtu në rend dite është edhe debati parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë Covid-19.
Kuvendi gjatë ditës ka diskutuar për Programin e Qeverisë.