​Vitia: Deri në fund të vitit procesi i vaksinimit do të mbulojë 60% të qytetarëve

Aktuale

​Vitia: Deri në fund të vitit procesi i vaksinimit do të mbulojë 60% të qytetarëve

Më: 17 maj 2021 Në ora: 19:39
Kuvendi i Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë përplasur sot në Kuvend mbi çështjen e vaksinimit kundërCOVID-19.

Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e LDK-së Armend Zemaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për neglizhencë të treguar për sigurimin e numrit të vaksinave për qytetarët dhe procesin e vaksinimit.

Ai tha se programi i Qeverisë Kurti është i paqartë sidomos në sektorin shëndetësor, pasi nuk ofron plan konkret për menaxhimin e pandemisë dhe vaksinimin e popullsisë.

Zemaj: Nuk ka plan sa persona do të vaksinohen

“Në program përmendet se Kosova do të bëjë vaksinim 60 për qind i popullatës deri në fund të vitit, por nuk ka plane konkrete sa persona do të vaksinohen, se sa doza të vaksinave janë siguruar dhe kur dhe si do të vaksinohen në tërësi. Nëse gjatë kësaj periudhe dhe janë vaksinuar 500 persona, nëse kjo vazhdon, për një vit do të vaksinohen 180 mijë veta me dy doza, për 60 për qind të vaksinimit të popullsisë do të duhej të kalojnë pesë vjet që do të ishte fatkeqësia më e madhe”, ka thënë deputeti Zemaj.

Ndaj deklarimeve të Zemajt, ka reaguar ministri i Shëndetësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, tha se fajtor për vonesa për sigurimin e vaksinave është qeveria e kaluar.

Vitia: Deri në fund të vitit do vaksinimi do të mbulojë 60% të qytetarëve

“Qeveria e Kosovës e ka themeluar komisionin për negocimin e blerjes së vaksinave më 7 dhjetor 2020, në kohën kur Republika e Shqipërisë dhe fqinji ynë verior kanë filluar t’i marrin këto vaksina. Tani secili prodhues i vaksinave natyrisht prodhon aq sa ka kërkesa dhe duke qenë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar komisionin për negocim më datën 7 dhjetor dhe komitetin për vaksinim më 25 dhjetor të vitit 2020 natyrisht se jemi vonuar, mirëpo unë u garantoj që këto vonesa disa mujore deri më 23 mars kanë shtuar dinamikën dhe për 50 e sa ditë të qeverisë Kurti 2 është bërë më shumë sesa për 5 muaj e më shumë të qeverisë paraprake. Në anën tjetër, hap i domosdoshëm dhe urgjent aktualisht është sigurimi i vaksinës dhe procesi i vaksinimit do të mbulojë 60% të qytetarëve ashtu siç kemi thënë deri në fund të vitit 2021, paralelisht do të vijohet testimi dhe gjurmimi, promovimi dhe menaxhimi pandemisë, respektimi i masave parandaluese, fuqizimi i kapaciteteve monitoruese” ka thënë ministri Vitia.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sot për të diskutuar rreth programit qeverisës katërvjeçar të prezantuar nga kryeministri Albin Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat