(E plotësuar 17:27) - Ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme për diskutimin e programit të Qeverisë Kurti II. Pas shterjes së diskutimeve kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci mbylli punimet e kësaj seance.
Derisa më herët partitë opozitare lëshuan sallën, siç thanë në mungesë të kryeministrit Albin Kurti.
Kujtim Shala: Për këtë qeveri, 14 shkurti s’do të përfundojë deri në ditën e fundit të mandatit
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Kujtim Shala në debatin rreth programit qeverisës, tha se për këtë qeveri 14 shkurti nuk do të përfundojë deri në fund të mandatit të saj, pasi sipas tij, kjo qeveri është populiste.
Deputeti i LDK-së tha se programi i Qeverisë Kurti 2 nuk është i pranueshëm për shkak se në 14 rreshta ka 15 gabime gjuhësore.
Shala: Për këtë qeveri 14 shkurti s’do të përfundojë deri në ditën e fundit të mandatit
“’Programi i qeverisë është dokumenti themelor’, kjo është absolutisht e saktë, në mënyrë absolute, ‘me të cilin qeveria komunikon vizionin e saj para qytetarëve të Republikës së Kosovës për qeverisen e saj’, kjo nuk ka kurrfarë kuptimi, po ka kuptim për këtë qeveri sepse është populiste. Mos i kërkoni kësaj qeverie të mos flasë për rezultatin e zgjedhjeve, për një qeveri që projekton dhe do të punojë 14 shkurti do të ishte shumë larg. Për këtë qeveri, 14 shkurti nuk do të përfundojë në asnjë ditë deri në ditën e fundit të mandatit, sepse qeveri të tilla bëjnë fushatë sistematike çdo ditë, ky është profili ideologjik i tyre”, tha ai.
Shala tha se ky nuk është një program për demokraci parlamentare dhe për një organizim liberal.
Shala: Ky nuk më duket një program për një demokraci parlamentare
“Ky nuk më duket një program për një demokraci parlamentare dhe për një organizim liberal. Ky program, këto projeksione nëse Qeveria e Kosovës do të arrijë t’i përmbushë kështu Kosovën do ta kthejnë në një organizim politik krejt tjetër nga ky që është. Unë nuk e besoj që qytetarët e Kosovës i kanë kërkuar LVV-së dhe partnerëve të saj të ribëjnë shtetin e Kosovës, por të qeverisin më mirë sasa të tjerët”, tha Shala.
Bislimi përplaset me opozitën: Krejt dështimet tuaja do t’i trajtojmë, por jo për tri javë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në vazhdim të seancës së jashtëzakonshme parlamentare është përplasur me deputetët opozitarë rreth programit qeverisës, duke thënë se ky dokument në brendësi është i mirë.
Ai iu bëri thirrje opozitarëve ta lexojnë programin, pasi, sipas tij të gjitha dështimet e ish-qeverive të kaluara do t’i trajtojnë, por jo për tri javë.
Bislimi: Krejt dështimet e juaja ne do t’i trajtojmë, por jo për tri javë
“Në brendësi, ky cilësim tregon se program duket shumë i mirë për t’u realizuar, do të thotë që në start programi vlerësohet i mirë, aq i mirë saqë për rrethanat në Kosovë mbetet pa u implementuar... Hapeni pak dhe lexoni, deputeti Uran Ismaili tha se është mirë të lexohet programi që të shihet se çka ka brenda e jo të dilet me fjalime...Ne do t’i trajtojmë të gjitha dështimet tuaja, por jo për tri javë. Ne jemi duke treguar çka kemi bërë deri në vitin 2025”, tha ai.
Ndaj zëvendëskryeministrit Bislimi ka reaguar shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili i bëri thirrje atij të përmendë projektet ekonomike të qeverisë dhe jo të tallet me deputetë.
Tahiri: Ju nuk thatë asgjë, por u tallët me deputetë
“Ju nuk thatë asgjë, por u tallët me deputetë që është marre për juve, ju zëvendëskryeministër mos e bini veten dhe shtetin në këso pozite. Shumë e dobët ka qenë ekspozeja e kryeministrit të Kosovës me prezantimin e programit”, tha ai.
Bislimin e kritikoi edhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi.
Gashi: Kjo qasje në Kuvend nuk ka ndodhur kurrë
“Me dalë në Kuvend dhe më thënë s’iu kallëzoj juve qysh një program do të shndërrohet në plane, projekte dhe masa, kjo kurrë s’ka ndodhur. Gjithsesi, ai po mendon se duhet vepruar kështu... Pse kjo gjuhë kështu, nuk po e kuptoj. I duhet qetësi, le të veprojë me qetësi, nuk ka nevojë me iu turrë kështu Kuvendit. Por kur thuhen të pavërteta, Kuvendi i reagon”, tha Gashi.
Reshitaj: Programit për arsim t’i shtohet programi i detajuar në përkrahje emocionale dhe sociale
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në programin për arsim të shtohet edhe programi për përkrahje emocionale dhe sociale.
Ajo në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës mbi programin katërvjeçar qeverisës, tha se për një reformë të mirëfilltë në arsim nevojitet një program i veçantë në përkrahje emocionale dhe sociale.
Reshitaj: Programit për arsim t’i shtohet programi i detajuar në përkrahje emocionale dhe sociale
“Programit për arsim t’i shtohet programi i veçantë i detajuar në përkrahje emocionale dhe sociale për fëmijët, duke u nisur nga çerdhet, mirëpo më e rëndësishme është që këta fëmijë, të cilët do të jenë në ato çerdhe t’i përgatisim, të punohet me ta në aspektin emocional dhe në përkrahje sociale edhe mësimit në institucionet parashkollore edhe në nivelin e ulët të arsimit”, tha ajo.
***
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu janë përplasur sot në Kuvendin e Kosovës. Kjo pas thirrjes që i bëri Bajrami për t’i autorizuar organet e drejtësisë që të hetojnë rastin e 2.1 milionë eurove.
“Unë Hykmete Bajrami po u them të gjithë deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, se jetojë në Prishtinë. Vi çdo herë në Kuvend, sa herë ka seancë apo Komisione Parlamentare. Nuk fshihem askund. Ministrja e Drejtësisë e cila dje tha që e kam autorizuar prokurorinë që të merret me rastin e drogës, është mirë që me e autorizu çdo organ të drejtësisë që të merret edhe me rastin e 2.1 milionëshit dhe me rastin e Hykmete Bajramit sepse duhet me u pastru njëherë e përgjithmonë kjo çështje”, ka thënë ajo.
“Më vjen keq që nuk jeni në dijeni për përgjegjësitë që i ka ministri në raport me rastet që hetohen nga prokuroria. Nëse nuk e dinë më lejo të njoftojë që ministri i Drejtësisë nuk ka të drejtë që ta autrorizojë prokurorinë që të nis hetime. Ministri i Drejtësisë i autorizon autoritetet e huaja që të vijnë në Kosovë. Guardia de Finanza ka qenë në Kosovë me autorizimin tim. Uroj që kjo të jetë hera e fundit që keqinformon dhe shpif në foltoren e Kuvendit të Kosovës,” ka thënë Haxhiu.
Deputeti i LVV-së pyet opozitën pas kritikave rreth programit: Ku keni qenë deri sot
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka i’u është kundërpërgjigjur kritikave opozitare rreth programit të Qeverisë Kurti II.
Ai në seancën e Kuvendit, pyeti opozitarët se a kanë qenë në pushtet deri para pak kohësh, e që tash po kritikojnë për mungesë të operacionalizimit të programit qeverisës.
Deputeti i pushtetit tha se do të ishte shumë më e lehtë nëse Qeveria Kurti do të trashëgonte punë të mirë, por kjo qeveri trashëgon pushtetin nga një qeveri ilegale.
Uka: Ku keni qeni ju deri sot
“Hajde po e marrim si të mirëqenë se kjo qeveri nuk di, siç po e thoni ju. Hajde po e pranojmë siç po thoni edhe ky program nuk është program. Hajde po iu bëjmë qejfin se ju jeni më të mirë. Por ku keni qenë deri sot, ju. Ju keni qenë këtu prapa, ju keni shkru programe, i kemi lexu. Kështu kur po kërkoni operacionalizim dhe metrik në programin qeverisës a keni mundësi me na tregu sa përqind të planeve të programeve të juaja i keni realizu”, tha ai.
Projektet e trashëguara nga ish pushteti, Uka tha se do të kthehen prapa.
Uka: Kjo qeveri trashëgon pushtetin nga një qeveri ilegale
“Do të ishte shumë e lehtë nëse qeveria do të trashëgonte punën e mirë dhe projektet e dobishme për vendin nga një qeveri normale. Por kjo qeveri trashëgon pushtetin nga një qeveri ilegale. Një qeveri të gjepit dhe projekteve që kanë ushqyer interesa klientë lista. Prandaj për shumë projekte që janë nisur duhet të bëhet një kthim i plotë prapa, për shumë projektet që kanë lëvizur djathtas duhet të bëhet kthesa e parë majtas. Për shumë projekte që kanë nisur ne fakt duhet edhe komision hetimor parlamentar dhe ftesë për prokurorinë”, u shpreh Uka.
Ismaili: Kokëfortësia e Kurtit e mosprofesionalizmi i Nagavcit po i dënojnë qindra fëmijë
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka kërkuar nga qytetarët që ta lexojnë programin qeverisës duke thënë se ata, pavarësisht përkatësisë politike, duhet ta lexojnë kontratën që qeveria e ka me ta.
“Kërkesa ime më e rëndësishme sot, në këtë diskutim, për programin qeverisës, u drejtohet qytetarëve.Ju lutem, lexojeni programin. Sepse, ky program është kontrata që kjo Qeveri e ka me ju. Duhet që te lexohet nga të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësive politike. Për fat të keq, ky program nuk paraqet potentcialin e Kosovës, nuk prezanton kërkesat e qytetarëve dhe nuk trajton të ardhmen e tyre”.
“Qytetarët kur e lexojnë sot këtë program – nuk e kanë të qartë kur fillon një projekt dhe kur mbaron ai, sa kushton dhe si do të realizohet, dhe cikli do të jetë impakti në jetën e tyre. Sepse, ky program nuk është konkret, nuk ka afate kohore dhe plan për implementim. Dhe në mungesë të vizionit dhe profesionalizmit, këta ministra kanë zgjedhur një program pikërisht për t’i ikur përgjegjësisë, llogaridhënies dhe debatit konkret për të”.
Ismaili ka thënë se Kosova e këtij prorgmi qeverisës është e plogesht dhe e pashpresë duke shtuar se kjo nuk është Kosova që e meritojmë dhe e dëshirojmë.
Ai e ka kritikuar Qeverinë Kurti se po e injoron arsimin në pandemi duke thënë se në tërë botën kjo është një ndër çështjet më brengosëse.
“Humbjet e mëdha që janë duke ndodhur në shkollimin e gjeneratave, kanë bërë që Sekretari i Kombeve të Bashkuara ta quajë si “katastrofë e brezave”. Kurse, Qeveria Kurti e injoron komplet këtë fakt dhe na thotë se me këtë problem do të merret pas pandemisë. Një ndër çështjet me të rëndësishme në botë, dhe rrjedhimisht edhe te ne, atë të arsimit, kjo Qeveri e trajton kane trajtuar me 1 rresht, duke thënë se thënë që s’do të angazhohen fare për atë punë”.
Haliti: Mënyra e prezantimit të vettingut, tendencë për kontrollim të drejtësisë
Deputeti i Partisë Demokratikë të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti ka deklaruar se mënyra si Qeveria Kurti 2 po e prezanton vettingun është një tendencë për kontrollim të drejtësisë.
Ai në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës, kritikoi programin qeverisës, të cilin e quajti më shumë si program të dëshirave sesa të planeve konkrete.
Haliti: Mënyra e prezantimit të vettingut, tendencë për ta marrë në kontroll drejtësinë
“Kur flitet për vettingun kam përshtypjen se njerëzit ose elektorati dhe mendësia e disa këtu i sheh hekurat e burgut, ose prangat në duar të dikujt. Unë jam ithtar i vettingut, por ne e kemi parë, e kemi kaluar një herë vettingun në drejtësi, por ai nuk ka qenë i suksesshëm...Mënyra qysh po prezantohen është një tendencë për ta marrë në kontroll drejtësinë dhe për t’i dhënë mundësi pastaj opozitës për ta akuzuar qeverinë për kapje të shtetit, ashtu siç na keni akuzuar neve për nja 10 vjet”, tha ai.
“61 faqe planprogram, edhe faqen e ballinës e keni numëru por asgjë”, deputetja e LDK-së kritikon Qeverinë
Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka kritikuar Qeverinë gjatë seancës që po mbahet për planprogramin e ekzekutivit.
“E kemi lexu, e kemi analizu. I kishte 61 faqe, por asgjë përmbajtësore, e keni numëru edhe faqen e ballinës, por nuk kishte asgjë. Program dëshirash e fondesh”, tha Bunjaku-Rexhepi.
Me rreth 20 minuta vonesë ka nisur vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për programin e Qeverisë Kurti.
Aktualisht kryeministri Albin Kurti nuk është në sallën e seancave.
Musliu-Shoshi: Qeverisë s’ka strategji që t’i bind shtetet e BE-së për heqjen e vizave
Deputetja nga PDK-ja Ariana Musliu-Shoshi i tha qeverisë se duhet ta trajtojë me prioritet anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe UNESCO.
Sa i përket liberalizmit të vizave ajo tha se Qeverisë s’ka strategji që t’i bind shtetet e BE-së për heqjen e vizave.
“Njëri ndër vendimet e para që keni thënë është rikthim i adresës së BE në Kosovë pra Ministrinë e Integrimit Evropian dhe kjo është harruar”.
“Sa i përket liberalizimit të vizave tani për ju si Qeveri është që të keni një strategji të veçantë që t’i bindni shtetet e BE-së. Organizatë tjetër është edhe INTERPOL e UNESCO dhe duhet t’i trajtoni me prioritet.
“Strategjitë të veçantë duhet të keni për pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën”, tha ajo.
***
Deliu kritikon programin qeverisës
Ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët janë duke vazhduar diskutimet e tyre për programin qeverisës të prezantuar nga Qeveria Kurti.
Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu, në fjalimin e saj ka kritikuar programin qeverisës.
“Programi qeverisës që na kanë sjellë Qeveria e Kosovës, më 55 ditë me vonesë, nuk i përngjan aspak një programin qeverisës implementues, s’ka as afate kohore e as kosto buxhetore. Për më tepër është program synimesh e dëshirash të kalkuluar në vota elektorale”, deklaroi ajo në Kuvend.
Deliu theksoi se Qeveria Kurti ka filluar mbrapsht qeverisjen.
“E keni filluar mbrapsht qeverisjen, duke shantazhuar opozitën, duke propozuar ligjin për zgjedhje. E pash që në planin qeverisës, nuk figuron askund reforma zgjedhore, e që në ditën e parë e kishit me urgjencë. Qeveri e cila ka plotë gojën për kujdesin qytetarëve, e në të njëjtën kohë refuzon vaksinat dhe nuk bënë asnjë hap për të siguruar ato”, shtoi ajo.
Deliu tha se deri tani vetëm 2.5% e qytetarëve të Kosovës janë vaksinuar, shifra këto qe sipas saj, janë më të ulëta në rajon e Evropë.
Deputetja kritikoi edhe planin qeverisës për politikën e jashtme dhe tema tjera.
***
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të diskutohet programi i Qeverisë së Kosovës për vitit 2021-2025.
Kjo seancë është vazhdim i asaj të nisur ditën e hëne, e cila ishte ndërpre me konsensus të pozitës e opozitës.
Debati mbi programin e qeverisë Kurti të hënën është shoqëruar me përplasje të shumta ndërmjet pozitës dhe opozitës.
Vazhdon sot seanca për programin qeverisës
Sot mblidhen sërish deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët mblidhen për vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme së prezantimit të programit të Qeverisë së Kosovës për vitet 2021-2025.
Seanca do të filloj në ora 11:00.
Ndërsa të hënën para deputetëve kryeministri i Kosovës, Albin Kurti prezantoi programin Qeverisës për katër vitet e ardhshme. Derisa sa e quajti programin projektim të modelit të shoqërisë që duam ta ndërtojmë, ai renditi prioritetet katër vjeçare para të zgjedhurve të popullit, duke theksuar edhe se i njëjti është reflektim i premtimeve në fushatën zgjedhore dhe premtimeve ndaj të ardhmes.
Ai në foltoren e Kuvendit iu kërkoi opozitarëve bashkërendim karshi dialogut me Serbinë, për të cilin tha se do të jetë parimor. Derisa premtoi qe vendi është në rrugë të mirë për imunizimin e 60 përqind të popullsisë deri në fund të vitit 2021. Krahas këtyre, Kurti premtoi investime në shëndetësi, arsim, skema sociale dhe zhvillim ekonomik.
Duke folur për programin në aspektin shëndetësor, Kurti tha se do ta reformojnë sistemimin shëndetësor.
Lidhur me arsimin, Kurti tha se do të investojnë në 160 çerdhe dhe punësimin e pedagogëve të rinj.
Të zgjedhurve të popullit, Kurti iu premtoi formalizm të ekonomisë dhe tregoi arsyet e krijimit të fondit sovran dhe bankës zhvillimore.
Kurti foli edhe për prioritet në drejtësi, ku edhe u zotua për padinë ndaj Serbisë për gjenocid.
Programin e Qeverisë Kurti II e konsideruan sipërfaqësore dhe jopërmbajtësore nga Lidhja Demokratike e Kosovës. kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku deklaroi se ky program nuk ka as argument dhe as ide të fjalës.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, deputeti Enver Hoxhaj ka thënë se program i Qeverisë Kurti, i prezantuar në Kuvendin e Kosovës, është program më i dobët ndonjëherë dhe do të mbahet mend për pasaktësi dhe mungesë të llogaritjeve reale.
“Ky është një program mediokër, është një paçavër”, ka thënë Hoxhaj pasi ka komentuar programin qeverisës të prezantuar nga kryeministri Kurti.
Kurse Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri e ka quajtur vetëm deklaratë politike programin qeverisës të prezantuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme që u mbajt të hënën.
Tahiri ka thënë se program i prezantuar nga shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, nuk paraqet masa konkrete për asnjë prej problemeve të cilat presin zgjidhje.