​KMDLNJ viziton Ministrinë e Drejtësisë dhe Avokatin e Popullit në Maqedoninë Veriore

Aktuale

​KMDLNJ viziton Ministrinë e Drejtësisë dhe Avokatin e Popullit në Maqedoninë Veriore

Më: 19 maj 2021 Në ora: 12:34
KMDLNJ

Përfaqësues të KMDLNJ-së, në kuadër të mandatit për monitorimin e realizimit dhe respektimit të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, dje u takuan në Shkup me zëvendësministrin e Drejtësisë së Maqedonisë Veriore, Agim Nuhiu për t’u informuar mbi gjendjen e të drejtave të njeriut të shtetasve kosovarë të paraburgosur apo të dënuar e që mbahen në institucionet e paraburgimit apo korrektuese.

KMDLNJ shprehu interes edhe për mundësinë e transferimit të të dënuarve kosovarë në burgjet e Kosovës, në rast se i plotësojnë kushtet, për të qenë më afër familjeve që është në përputhje të plotë me standardet dhe rregullat evropiane të burgjeve.

Zëvendësministri Nuhiu e informoi KMDLNJ-në për trajtimin e të privuarve nga liria në burgjet e Maqedonisë Veriore, shtetas të Kosovës, dhe theksoi se ato janë në përputhje të plotë me Ligjin për Ekzekutim të Sanksioneve Penale dhe Rregulloren e institucioneve mbajtëse dhe se i gëzojnë të gjitha të drejtat sikur edhe të burgosurit tjerë.

Nuhiu theksoi gjithashtu se Maqedonia Veriore po angazhohet që të përmirësohen kushtet fizike për të burgosurit, që trajtimi të jetë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, në mënyrë që sa më shpejt ta pranojnë programin e risocializimit, dhe të kthehen dhe të integrohen në shoqëri.

Ai premtoi se monitoruesve të KMDLNJ-së do t’iu lejohet vizita monitoruese në burgjet ku janë të vendosur shtetasit kosovarë, pasi të plotësohen disa kërkesa procedurale.

Në takim me Avokatin e Popullit, Naser Ziberi, KMDLNJ u informua për gjendjen e të drejtave të njeriut në Maqedoninë Veriore, përkatësisht për respektimin e të drejtave të njeriut të komuniteteve pakicë dhe grupeve shoqërore të cenueshme sikur që janë të privuar nga liria e në rast konkret shtetasit e Kosovës.

Edhe Avokati i Popullit thekson faktin se personat e privuar nga liria që mbahen në institucionet e paraburgimit dhe ku e vuajnë dënimin trajtohen në përputhje me ligjin dhe se edhe shtetasit kosovarë, të privuar nga liria nuk diskriminohen dhe trajtimi i tyre nuk dallon nga trajtimi që iu bëhet të burgosurve tjerë.

Aktualisht në burgjet e Maqedonisë Veriore janë 39 shtetas kosovarë prej të cilëve 6 janë në pritje të ekstradimit në Kosovë. Institucionet ku mbahen janë në Burgun e Idrizovës, Shutkës dhe në Kumanovë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat