Kokaina e Lipjanit: Të pathënat e një gracke që po shqetëson DEA-n

Aktuale

Kokaina e Lipjanit: Të pathënat e një gracke që po shqetëson DEA-n

Më: 19 maj 2021 Në ora: 15:54
DEA

Kapja e 400 kilogramëve kokainë ditë e fundit nga një aksion i përbashkët i DEA-s amerikane,Guardia di Finanza-s së rajonit të Kalabrisë, policisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës është cilësuar një sukses dhe normalisht është konsideruar si një zhvillim pozitiv.

Por vetëm 48 orë pas atij operacioni që pati disa hije megjithëse edhe mjaft zhvillime positive, nga burime ndërkombëtare mësohet se ka disa gjëra që ju kanë ikur agjencive ndërkombëtare kundër krimit.

Siç mësohet, mos arritja e kapjes së kokave të këtij narkotrafiku të nivelit të lartë po shtron mjaft pikëpyetje. Bëhet fjalë për 400 kilogram kokainë e pastër që shkon në 24 milionë euro si vlerë tregu.

Ndërkohë që dje kanë dalë informacione për kapjen e 2 ton kokainë, prokurorët e Antimafias në Kalabri dhe strukturat e Drejtorisë Antimafia në portin e Goia del Tauro-s, kanë mbledhur informacione për një rrjedhje të madhe. Dyshimet janë që vendosja e GPS në ngarkesën e 400 kilogram kokainë me mish pule ka qenë totalisht në dijeni të kartelit dhe grupit që ai ka furnizuar me kokainë.

Madje, DEA ka dyshimin se taktika e narkotrafikantëve ka qenë për të fshehur realisht një sasi tjetër të madhe që ka kaluar apo pritet të kalojë për në Shqipëri.

Një taktikë tashmë e njohur e trafikantëve, që i hedh policisë një karrem për të kapur një sasi droge, në mënyrë që të jetë e shkujdesur për një tjetër sasi shumë më të madhe.

Siç mësohet, DEA e ka shtuar praninë e saj si në Goia del Tauro, por edhe në Durrës, ku çdo anije që vjen nga Amerika Latine kontrollohet me hollësi.

Madje ka të dhëna që kokaina mund të vendoset jo vetëm në makinat që janë në hambarin e anijeve, por edhe në pjesët e tjera, si pranë helikave apo edhe në trupin e poshtëm të anijeve.

Disa specialistë polumbarë të trupave të marinës së SHBA, që janë pjesë e Defender 21, stërvitjes së madhe të NATO-s që ka nisur në Shqipëri, do të jenë në gatishmëri për të kontrolluar çdo anije që vjen nga shtetet e Amerikës së Jugut, madje edhe nga portet italiane dhe ato të Mesdheut jugor.

SPAK-ut i është ofruar në mënyrë direkte që si trupë ushtarake në zbulimin e sasive të kokainës mund të përdorë hapur forcat amerikane dhe ato të Guardia di Finanza-s, pa pasur nevojë që të angazhojë policinë shqiptare, ku ka një droje të madhe se mund të dekonspirohen aksionet.

Një nga prokurorët e SPAK, Altin Dumani ka qenë në Reggio Calabria ditën e djeshme ku është takuar me gjeneralin Giuseppe Zafarana që është komandanti i Guardia di Finanza.

Ndërkaq, DEA, në dështimin e pjesshëm të operacionit të djeshëm, ka përforcuar bindjen se kemi të bëjmë me një ndërmarrje që nuk ka të bëjë thjesht me grupe të narkotrafikut në Shqipëri dhe Kosovë, por me lobe që kanë lidhje shumë të fortë me struktura politike e shtetërore.

Që në vitin 2016, DEA, në një material shumë të hollësishëm analitik, ka arritur në përfundimin, se mafia shqiptare, sado e fuqishme që është, nuk i ka mundësitë të bëjë blerje të mëdha kokaine në Amerikën Latine që shkojnë në shifra deri në dhjetra miliardë euro.

Pas shkatërrimit të karteleve të Pablo Escobarit dhe ato të Cali-t që ishin dhe korporata ndërkombëtare të narkotrafikut, kartelet e sotme nuk pranojnë më që të shpërndajnë kokainën që dërgojnë në Europë. Ata thjesht e shesin me para në dorë, pa marrë përsipër as transportin apo sigurinë e mallit. Gjithçka merret përsipër nga shqiptarët që e blejnë kokainën direkt tek prodhuesit.

E sipas DEA-s, sasia e madhe e parave nuk mund të sigurohet nga bandat e narkotrafikut, por ka prova se ajo vjen nga baronët e korrupsionit të politikës shqiptare, që I qarkullojnë paratë në rrjetet e narkotrafikut për t’i shumfishuar dhe përdorur për një influencë më e madhe në vend.

DEA ka zbuluar se në zona offshore të Europës si Spanjë, Monaco, Luksemburg, Lihtensctein, apo edhe Çeki, ka kompani të vogla financiare që marrin përsipër “larjen” e parave të narkotrafikut, duke u lidhur në mënyrë të tërthortë me banka të nivelit të dytë. Duke shërbyer si konsulentë, apo aktorë të kriptomonedhave, këto agjenci nuk janë gjë tjetër veçse pastrues të parave të drogës që japin nga 20-30% bankave të nivelit të dytë, të cilat sigurojnë në Shqipëri transfertat e drogës.

Edhe ajo që u kap dje, mësohet se është gjetur në lidhje me një transfertë që vjen nga një prej ishujve Canarie të Spanjës, përkatësisht ishullin Menorca, pjesë e ishujve balnearë ku si qendër kanë Maiorca-n.

Pikërisht në këtë ishull mendohet se ekziston një nga qendrat e forta të pastrimit të parave të narkotrafikut shqiptar e ku janë transferuar aktorë të rëndësishëm të këtij biznesi.

Një nga njerëzit më të rëndësishëm të narkotrafikut, që cilësohet nga më të fuqishmit në këtë treg ka braktisur Roterdamin pikërisht për Menorkën. Ku mendohet se është vendosur qendra operative e narkotrafikut që vjen nga Amerika Latine.

DEA ka zhvendosur prej kohësh qendrën operative aty dhe ka skanuar një numër të madh personash shqiptarë që kanë qenë edhe në të shkuarën, pjesë e grupeve të fuqishme të narkotrafikut në Shqipëri, por edhe në vende të Europës si Greqia, Italia apo Belgjika.

Europol ka zhvendosur në Tiranë dhe Prishtinë, një grup të rëndësishëm analistësh që janë marrë nga policitë e Italisë dhe Gjermanisë, vendeve ku shkon pjesa më e madhe e kokainës që vjen nga Amerika Latine në Shqipëri.

Sipas të dhënave të para, kanë dalë se Shkodra, Lezha dhe Elbasani, janë tre qarqet që kanë lidhje me qarkun e ishujve Kanarie. Të cilat mësohet se kanë edhe qendrën operative të kokainës që vjen nga Amerika Latine e ku ndahet për në Britaninë e Madhe dhe në Europë.

Ndarja e distribucionit bëhet në mënyrë perfekte; nga Shqipëria kalon një pjesë e vogël për të ushqyer grupet vendase por edhe për të plotësuar me likuiditet grupet politike që mbështesin këtë narkotrafik.

Ky në fakt është fjalëkryqi më i vështirë për DEA-n, që ka riaktivizuar një grup të madh analistësh dhe i është futur bankave të nivelit të dytë në të gjitha vendet që është bërë transferta. E ku gjurmët nisin që nga Gjibraltari në Shqipëri…/Pamfleti

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat