Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mori pjesë në darkën e organizuar me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.
Darka e organizuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell nga i pari i Qeverisë së Kosovës është vlerësuar si një mundësi e mirë për të diskutuar mbi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Ai në një postim në Twitter ka shkruar se darka me liderët e rajonit, po ashtu ishte një mundësi për të rritur ndihmën, mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë pandemisë dhe më gjerë.
Ndryshe, kryeministri Kurti mbrëmë pas darkës me liderët e Ballkanit Perëndimor, tha se ka shtruar integrimin sa më të shpejtë të rajonit në BE.
“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse i përmbahen tri vlerave të demokratizimit, të luftohen autokracitë në Ballkan, të luftohen oligarkitë dhe të eliminohen nga skena politike dhe institucionet kriminelët e luftës dhe të paqes. Edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor kemi edhe kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në institucione”, ka thënë Kurti duke aluduar në liderët e shtetit të Serbisë.
Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave për çka shfaqi shpresën se Gjermania si vend mik i Kosovës do të ndihmojë në këtë drejtim. Ndërsa për vaksinimin, kryeministri Kurti edhe një herë ka shprehur bindjen se do të arrihet 60 përqindëshi i vaksinimit të qytetarëve të Kosovës këtë vit.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Kurti është takuar edhe me emisarin special të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Ky i fundit në vizitën e tij të fundit në Prishtinë në fillim të marsit pati thënë se ai pret që marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet gjatë qeverisjes së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Sipas tij, nuk ka asnjë pengesë që një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet edhe brenda muajsh.
Kryeministri Kurti nga ana e tij, disa herë e ka potencuar se ai është i gatshëm për dialog me Serbinë, por nuk e ka prioritet.
Ndërkohë që data e takimit të radhës së dialogut është paraparë rreth datës 22 qershor, Kurti mbrëmë në Bruksel nuk ka dashur të konfirmojë datën e saktë të takimit, por shtoi se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.
Në prill, komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, i shkroi një letër kryeministrit Kurti, në të cilën i kërkoi vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë. Sipas Varhelyi, kthimi i perspektivës evropiane në realitet për Kosovën kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë dhe normalizim raportesh mes dy vendeve.
Dinner with other WB6 leaders in Brussels hosted by EU HR @JosepBorrellF, was a good opportunity to discuss importance of EU and WB6 for each other, possibilities to increase help, support and cooperation, during the pandemic and beyond.https://t.co/EqJdDv1roq
— Albin Kurti (@albinkurti) May 19, 2021