Deputetja e VV-së, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku, ka kritikuar ish-qeverinë Hoti, se nuk foli të vërtetën në lidhje me vaksinat anti-Covid dhe se krijoi iluzioni se ato do të sigurohen shpejt dhe në numër të madh.
Mulhaxha – Kollçaku në një intervistë tha se të gjitha premtimet dolën të pabaza.
“Erdhi Qeveria Kurti dhe nuk gjeti asnjë vaksinë. U krijua iluzioni se shpejt, qysh në janar e shkurt do të vijnë 500 mijë vaksina Pfizer, 300 Astra Zeneca, e të tjera. Mjafton që çdokush të kthehet në faqet e Facebookut të ish-ministrit dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe vërtetohet kjo”, tha ajo.
Deputetja e VV-së, nguli këmbë se Qeveria Kurti do të përmbush premtimin që deri në fund të vitit të vaksinojë 60 për qind të popullatës.