​Tahiri: Vendimi për uljen e shtesave të anulohet nga qeveria

Aktuale

​Tahiri: Vendimi për uljen e shtesave të anulohet nga qeveria

Më: 20 maj 2021 Në ora: 11:55
Besnik Tahiri

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka kërkuar anulimin e vendimit për uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë. Sipas tij, vendimi i Qeverisë Kurti është skandaloz, meqë kështu janë shpërfillur të gjitha kategoritë e përfshira në këtë vendim.

Në interpelancën e ftuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Tahiri tha se vendimi për shtesat është ndër vendimet e para më të gabuara dhe më skandaloze.

Tahiri: Është një ndër vendimet e para më të gabuara dhe më skandaloze

“Është një ndër vendimet e para më të gabuara dhe më skandaloze, përmes së cilit ka shpërfillur dhe injoruar shëndetin dhe mirëqenien e mbi 150 mijë pensionistëve, mbi 13 mijë staf profesional shëndetësor të cilët për hir të vërtetës qëndrojnë çdo ditë në vijë të parë të frontit, ballafaqim me pandeminë. Si dhe 9911 policë dhe staf të tjerë të sigurisë që për çdo ditë merren me sigurinë publike dhe që kanë marrë detyra shtesë në mbrojtjen dhe ballafaqimin e pandemisë COVID-19”, ka thënë Tahiri.

Më tej, Tahiri ka shtuar se kjo shtesë nuk është asgjë më shumë se kompensim minimal që u bëhet atyre që kanë bërë punë shtesë dhe pensionistëve. Sipas tij, pensionistëve me këtë vendim nuk po u njihet kontributi jetësor që vazhdimisht janë përballur me sfida.

Tahiri: Pensionistëve iu është rrezikuar shëndeti me këtë vendim

“Edhe nëse nuk kanë asnjë problem me shëndetin, iu është rrezikuar shëndeti drejtpërdrejt me këtë vendim, i cili për ne është skandaloz. 4,5 milionë euro në muaj të ndara nga kjo kategori apo 30 euro për një pensionist është e pakta që mund të bëjmë për prindërit dhe për gjyshërit tanë. Edhe sikur të kishin trefishin e kësaj vlere, prapë se prapë pensionistët kanë nevoja elementare, duke e ditur problemet me moshën si dhe me pandeminë”, ka shtuar ai.

Për më tepër, ai tha se shtesat nuk kanë ndikim negativ në shpenzimet buxhetore, për meqë pensionistët nuk e kanë luksin të ruajnë para.

Tahiri: Vendimi i qeverisë Kurti të anulohet dhe të shihet mundësia e rritjes së kësaj vlere

“Është shumë e domosdoshme që vendimi i Qeverisë Kurti të anulohet dhe të shihet mundësia e rritjes së kësaj vlere që sado pak të rrisin përkujdesin shëndetësor të kategorisë më të rrezikuar dhe më të injoruar të shoqërisë. Tek personeli shëndetësor, duke qenë se jemi në pandemi dhe duke e ditur të gjithë rolin e tyre, është bartësi kryesor i barrës për menaxhimin e kësaj situate. Ata për çdo ditë të vetme janë të rrezikuar nga COVID-19. Rrezikojnë po ashtu familjet dhe të dashurit e tyre dhe përkundër këtyre sfidave janë të përkushtuar çdo ditë në luftimin e pandemisë”, ka theksuar ai.

Tahiri shtoi se 250 euro shtesë për mjekë, 150 euro për infermierë dhe 100 euro për staf mbështetës, janë shumë pak për të mbuluar shpenzimet e tyre. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat