Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi është shprehur se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk ka plan as strategji sa i përket shërbimit diplomatik.
Ajo ka thënë shkarkimi i 12 ambasadorëve duhet të shihet se cfarë i shkakton Kosovës në raport me shtetet tjera.
“Ministria nuk e di se çfarë është shërbimi i jashtëm. Më befason presidentja Vjosa Osmani sepse e di si funksionin ky shërbim. Duhet ta kesh parasysh se çfarë i shkakton shtetin në raport me shtetet që na kanë njohur”, ka thënë ajo.
Musliu-Shoshi thotë se pas këtyre shkarkimeve egziston rreziku që vendet të mbesin vakante pa ambasadorë.
“Ekziston rreziku që vendet të mbesin vakante pa ambasadorë. Ky është vendimi më i lehtë që mund ta marrë një ministër dhe një president. Mirëpo duhet të analizosh se çfarë mund t’i shkaktosh dëm vendit në politikën e jashtme”, tha deputetja.
Musliu-Shoshi ka thënë se nga ajo që dinë, asnjë prej 12 ambasadorëve të shkarkuar nuk është kontaktuar nga ministria prej votimit të qeverisë së re.