(E plotësuar 14:34) - Emërohet bordi i përkohshëm i drejtorëve të Trepçës, KEK-ut, Postës dhe Infrakosit
Qeveria e Kosovës ka emëruar bordin e përkohshëm të drejtorëve të ndërmarrjes publike "Trepça".
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka treguar përbërjen e këtij bordi.
"Bahri Hyseni kryesues, Hekuran Nikçi anëtar, Alban Krasniqi anëtar, Shyqri Sadiku, Shyqri Kelmendi", tha ajo.
Rizvanolli po ashtu ka treguar për përbërjen e bordit të përkohshëm të drejtorëve të ndërmarrjes "Korporata Energjetike e Kosovës” KEK. Ajo tha se nuk ka pjesëtar të minoriteteve, derisa shtoi se nuk pret që në bord të jenë këta persona për kohë të gjatë.
"Rrezarta Pllana kryesues, Bejzart Halilaj anëtar Merita Kasapolli, Arbror Pula anëtar”, tregoi ministrja.
Ndërsa, të Bordit të Përkohshëm të drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore "Posta e Kosovës.
"Safije Beseli kryesuese, Sebahate Krasniqi, Genc Rama anëtar, Naim Haliti anëtar", ka shtuar ajo.
Ministrja e Ekonomisë ka bërë të ditur emrat e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes publike qendrore-Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës "Infrakos".
"Enis Berisha kryesues, Ardita Salihu, Fitnese Ismaili anëtar, Afrim Mehmetaj anëtar", bëri të ditur ajo.
***
Qeveria e Kosovës unanimisht ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovvinën, Maqedoninë e Veriut, Malin të Zi dhe Serbinë.
Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnje dhe Hercegovinës që për herë të parë të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës me letërnjoftim biometrik për një periudhë të caktuar.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në mbledhjen e Qeverisë ka prezantuar draft-marrëveshjen, të cilën e konsideroi tejet të rëndësishme.
“Më lejoni t’ju prezantoj nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për lirinë e lvëizjes dhe qëndrimit të shtetasve të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovvinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë. Ky draft-marrëveshje është në frymën e interesave të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit rajonal si rezultat i zotimeve të gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes të mbajtur në nëntor 2020 ku u nënshkruan dy deklarata, ajo për tregun e përbashkët rajonal dhe deklarata për agjendën e gjelbër. Ky samit është vazhdimësi i procesit të Berlinit”.
“Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i kushteve për hyrje, kalim transit dhe qëndrim afatshkurtër me letërnjoftim biometrik të qytetarëve të palëve të përfshira në marrëveshje. Si rezultat, qytetarët e palëve të përfshira në marrëveshje do të kenë të drejtë që lirshëm të kalojnë dhe të qëndrojnë në territorin e palëve për periudhën kohore të përcaktuar në këtë marrëveshje. Si e tillë, marrëveshja parasheh që palët do të thjeshtësojnë procedurat administrative për hyrjen, transit dhe qëndrimin e shkurtër të qytetarëve me letërnjoftim biometrik”.
“Kjo marrëveshje do t’i mundësojë qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnje dhe Hercegovinës që për herë të parë të kenë mundësinë të lëvizin në territorin e njëra-tjetrës vetëm me letërnjoftim biometrik”.