Miratohet vendimi për plotësimin e anëtarëve të kompensimit të viktimave të krimit

Aktuale

Miratohet vendimi për plotësimin e anëtarëve të kompensimit të viktimave të krimit

Më: 21 maj 2021 Në ora: 14:39
Albulena Haxhiu dhe Arbërie Nagavci

Kabineti qeveritar sot ka miratuar edhe vendimin për plotësimin e anëtarëve të komisionit për kompensimin e viktimave të krimit.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së kabinetit qeveritar.

"Sa i përket Prokurorisë së Shtetit, është prokurorja Sevdije Morina, Morina është në vend të Ariana Shajkovcit. Ndërsa sa i përket komisionit për legjislacion, anëtarja Blerta Deliu-Kodra në vend të Donika Kadaj-Bujupi", tha ajo.

Haxhiu në konferencë për media ka përmendur edhe sulmet seksuale të raportuara së fundmi.

Haxhiu ka thënë se kanë formuar një grup të ngushtë në mënyrë që kjo dukuri e rrezikshme për shoqërinë të adresohet me veprime konkrete.

"Besojmë që ky grup do të formalizohet sa më shpejt, në adresimin e rasteve te sulmeve seksuale. Do të marrim secilin veprim që bie në fushë veprimtarinë tonë", tha Haxhiu.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Tenkonologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) Arbërie Nagavci ka shtuar se janë duke marrë veprime për parandalimin e këtyre rasteve, duke përmendur kështu edhe punëtori me drejtoritë komunale. Sa i përket futjes së edukimit seksual në kurrikulën shkollore, ajo tha se, "Tashmë këto janë pjesë integrale të kurrikulës. Duhet punë shumë më e madhe, në mënyrë që asnjë njësi mësimore të mos kalojë pa u mësuar. Po ashtu edhe siguria që duhet t’iu afrohet fëmijëve të jetë e vazhdueshme".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat