Anëtarja e kryesisë së rinisë së PDK-së, Jona Arifi ka reaguar lidhur me ngjarjet e ditëve të fundit në institucionet arsimore dhe për rastet e raportuara të dhunës fizike, ngacmimeve dhe sulmeve seksuale, bullizmit dhe stigmatizimit ndaj nxënësve.
Ajo ka thënë se PDK-ja kërkon veprime urgjente nga institucionet përgjegjëse për trajtimin e të gjitha rasteve të ngacmimeve dhe dhunës ndaj nxënësve.
Arifi ka akuzuar tri qeveritë e fundit se nuk kanë bërë asgjë për t’iu siguruar nxënësve mësim adekuat.
"Mungesa e ambienteve të përshtatshme për nxënësit dhe paraqitja e këtyre rasteve ndikojnë jo vetëm në cilësinë e arsimit, por edhe në zhvillimin dhe mirëqenien mentale dhe social të nxënësve. Nevoja për psikologë të kualifikuar në çdo shkollë të Kosovës është urgjente dhe kërkojmë nga qeveria qe të ndërmarrë masa të menjëhershme për ta realizuar këtë kërkesë, që para së gjithash vjen nga nxënësit dhe prindërit e tyre. Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës bën thirrje për qasje pro aktive, për politika të menaxhimit të shkollave që krijojnë mjedise miqësore të sigurta dhe jopërjashtuese për të gjithë nxënësit.", ka thënë Arifi.