Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se procesi i testim të mësimdhënësve kërkon kujdes të madh dhe nivel të lartë të atyre që i vlerësojnë.
Nagavci thotë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet në mënyrë të nxituar, pasi duhet të ndryshohet legjislacioni.
“Nuk e kuptoj që cili ka qenë interesi i SBASHK-ut që të diskutohet kjo temë, ndoshta pse ata e kanë kohën e zgjedhjeve tani. Testimi aktualisht nuk përcaktohet me legjislacionin në fuqi, marrja e vendimeve për ndryshimin e legjislacionit duhet të bëhet me konsensus dhe kujdes të madh. Duhet të sigurohemi që ata që e bëjnë vlerësimin të jenë në nivel i lartë. Unë kam njohur mësimdhënës shumë përgjegjës gjatë përvojës time, por nuk përjashtoj edhe ata të cilët nuk janë në nivelin e duhur. Nuk konsideroj që mësimdhënësit janë fajtorët kryesorë për gjendjen e arsimit në Kosovë. Janë shumë faktorë të përbashkët. Duhet të punohet për vlerësimin e mësimdhënësve. Duhet të jenë një varg masash të mirë-planifikuara. Këto gjëra nuk bëhen në kohë afatshkurtër, por me plan afatgjatë”, ka thënë ajo.
Sa i përket debatit me Sindikatën e Arsimit për shtesat e mësimdhënësve, Nagavci shprehet se vendimi i Qeverisë Hoti ishte që shtesat prej 100 eurove të ndaheshin vetëm për një muaj.
“Prej momentit të pranimit të detyrës, kam pasur tre takime me SBASHK-un. Kemi rënë dakord për angazhimin e përbashkët për të ndihmuar që fëmijët tanë të kenë rezultate sa më të mira në këtë vit të vështirë pandemik. Iu kemi bërë të qartë se vendimi nga ish-Qeveria Hoti e tregon qartazi që shtesa për mësimdhënës do të bëhen për një muaj, të cilat janë realizuar. Përtej kësaj, ajo që SBASHK-u e dinë tashmë sepse ia kam thënë në tkime, duhet të përmendet që ish-Qeveria Hoti me rishikimin e buxhetit, kishte zvogëluar buxhetin për 12 milionë euro, ndërsa gjatë pandemisë kishte ndarë 9 milionë euro, 5 prej tyre janë tërhequr për shtesat e mësimdhënësve. Dezinfektimi i shkollave, blerja e telefonave të mençur për nxënësit në nevojë e projekte të tjera pandemike kanë mbetur pezull për shkak të mungesës së buxhetit”, deklaroi Nagavci.