Qeveria nuk jep detaje për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë për dialogun, kjo është arsyeja

Aktuale

Qeveria nuk jep detaje për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë për dialogun, kjo është arsyeja

Më: 22 maj 2021 Në ora: 19:20
Foto ilustrim

Të fshehtë vazhdon ta mbajë Qeveria e Kosovës angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë në procesin e dialogut. Mosdhënien e informacioneve, Qeveria e ka arsyetuar me ndjeshmërinë e procesit. E angazhimin e ekspertëve të fushave të ndryshme e vlerësojnë të rëndësishëm nga shoqëria civile, por kërkohet që të kihet kujdes në zgjedhjen e tyre.

Ekspertë ndërkombëtarë do të përfshijë Qeveria e Kosovës në ekipin për dialogun me Serbinë.

Një pjesë e tyre do të angazhohen nga ambasadat e vendeve të ndryshme e që janë të përfaqësuara në Kosovë, midis të tjerash ajo e Britanisë, Zvicrës e Hungarisë.

Derisa nga Ambasada e Britanisë e Hungarisë nuk kanë pranuar të deklarohen për këtë çështje, ajo e Zvicrës ka kërkuar që për këtë temë t’i drejtohemi ekzekutivit.

Por, pyetjeve të televizionit për angazhimin e këtyre ekspertëve, formën e angazhimit e detyrat e tyre, nuk u është përgjigjur Qeveria.

Mosdhënien e informatave, ky institucion e ka arsyetuar me ndjeshmërinë e procesit.

“Për shkak të ndjeshmërisë së procesit nuk mund të ofrojmë më shumë detaje nga ato që tashmë janë bërë publike”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Në anën tjetër, njohës të bisedimeve me Serbinë e vlerësojnë të nevojshëm zgjerimin e ekipit të Kosovës për këtë proces.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Politikave të Ballkanit, thotë se në mungesë të ekspertizës së duhur janë bërë edhe gabime në procesin e dialogut.

“Kosova ka mungesë të njerëzve të temave të caktuara, sidomos të çështjeve që ndërlidhen me shtetndërtimin në aspektin ndërkombëtar, pra dhe zgjidhjen e konflikteve dhe Kosovës do t`i duhen ekspertë pavarësisht se cila qeveri është në pushtet do t’i duhen ekspertë të fushave të ndryshme, që nga vetë sistemi i negociatave të dialogut e deri te çështjet që ndërlidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare”, është shprehur Rashiti.

E Gurakuç Kuçi thotë se institucionet duhet të kenë kujdes në angazhimin e ekspertëve.

“Ekipi duhet të jetë edhe më i larmishëm se që është tani, duhet të përshihen edhe personat të cilët jo domosdo janë publikë, por kanë një aftësi të duhur që të japin mendimet e tyre dhe gjithsesi këta njerëz duhet që t’i njohin kulturën, psikologjinë e popujve të Ballkanit, psikologjinë e pjesëmarrësve në negociata dhe gjithsesi edhe interesat, sepse përndryshe ne do të dilnim humbës”, ka thënë analisti Kuçi.

Lidhur me angazhimin e ekspertëve e punën që është bërë në këtë drejtim, media ka provuar të marrë përgjigje edhe nga udhëheqja paraprake e ekzekutivit. Por, interesimit për këtë çështje nuk i është përgjigjur ish-kryeministri Avdullah Hoti që nga 12 maji.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat