Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, ka kritikuar ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhajn.
Ai ka thënë se Hoxhaj, sa ishte në qeveri me Kadri Veselin nuk i lexonte programet e Qeverisë, pasi sipas tij, punonte në 3-4 vende pune. Ndërsa, tani siç ka thënë Lajçi, ai “nuk po mundet t’i ikë hijes së Albin Kurtit”, përcjell Bota sot.
Reagimi i Lajçit në Facebook:
Duroni se rriteni
Sa ma shumë zvogëlohesh, aç ma trim bahesh!
Këtë e kam provua n’teatër shumë e shumë herë. Kuptohet, kur dështojsha n’role!
Atëherë s’më ndalte kush.
Lehsha si minuku. Merrsha zemër e dojsha me iu thanë se jam i madh, ani pse i vogël dukem. E prap ngjitësha n’skenë, e prap bahesha lypës, princ, dashnor, vrasës e mbret!
Po!
Sa ma shumë zvogëlohesh, aç ma shumë trim mundohesh mu ba! Kët e kam provua edhe kur faqet m’i kanë skuq shuplaka, edhe kur mi kanë lëmua shpatullat!
Por, edhe kur ndodhte që t’isha i madh mbi dërrasa!
N’fakt, s’lehin të mëdhejt!
Janë si ujqërit që mund t’ulërojnë kur i zanë mjegullat, po jo edhe t’lehin! Ata i shtinë n’punë qafat e trasha, e me leh, lehin minukët, për me kallxua sa t’vegjël janë e sa t’vogla i kanë zemrat!
Vogëlsia e tyne s’i duron punët e mëdha ndaj i nxjerrin dhëmbët n’fushë e kot përjargën!
Tani, s’po di ç’kanë këta t’mëdhejt e zvogëluem që s’po bahen rehat! Do trima lufte e do profesor! Kur i kishin nga 4 e 5 rroga, nuk flisnin, tani që jetojnë veç me atë të deputetit, e shohin vetëm vetveten e iu duket gjithçka zi e terr!
Kur ishte Kadriu, ky Enveri s’kishte kohë me i lexua programet e Qeverisë, se s’dinte n’cilin fakultet ka ligjëratë! Tash që mbet ma i madhi n’parti, u zvogëlua, por u ba trim, e s’po i pëlqen kurgja. Kurgja s’po sheh, pos vetvetes e hijes së Kurtit që s’po mundet me i ikë!
Të vegjëlit, (si duket), i shohin punët, vetëm kur t’iu dalin, si bjeshka përpara e s’kanë kah t’ia mbajnë ma. Prandaj gërdhuzën e flasin!
Duroni se rriteni edhe ju, ashtu siç u rrita unë: Me punë!
Kurriz, 24.05.2021
![Image](/media/botasot.info/images/2021/May/24/850x636_186544478_1865764040254615_1660482982413557821_n1621857362.jpg)