Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti nuk do të vendos masa reciprociteti me Serbinë, premtim ky i dhënë nga Albin Kurti para se të vinte në postin e kryeministrit.
Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari tha në një konferencë për shtyp se pavarësisht përplasjes me Serbinë, që nuk njeh dokumentacionet e lëshuara nga shteti i Kosovës, masat e reciprocitetit nuk do të vendosen.
“Nuk kam dashur t’i sjell masat e reciprocitetit me asnjë shtet fqinj. Kam dashur t’i zgjidh problemet përmes mekanizmave rajonalë, duke filluar nga CEFTA, RCC-ja dhe mekanizmat e tjerë europianë që mund të na ndihmojnë për zhvillim. Kam kuptuar se kam përkrahje të madhe nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi”, deklaroi Hajdari.
E i menjëhershëm ka qenë reagimi i artistit të njohur, Çun Lajçi.
“Kur t’i thuesh dikujt Çakorri, Çakorri, Çakorri, e klik bajrakun n’karrikë, asht dashtë me ditë se edhe unë kam me t’përqeshë: Reciplociteti, reciplociteti e bajraku kurkund. As n’kufi as n’karrikë! Asht dashtë me ngulë n’fjalën tande, e jo me i lujt gurët, se humbët besimi!”, ka shkruar ndër tjerash Lajçi, përcjellë “Bota sot”.
Postimi i plotë:
E di se ke dashtë Albin
Por asht dashtë me ngulë bajrakun ose n’kufi ose n’karrikë, se fjalët as përpihen as lëpihen.
Po Albin!
Kur t’i thuesh dikujt Çakorri, Çakorri, Çakorri, e klik bajrakun n’karrikë, asht dashtë me ditë se edhe unë kam me t’përqeshë: Reciplociteti, reciplociteti e bajraku kurkund. As n’kufi as n’karrikë!
Asht dashtë me ngulë n’fjalën tande, e jo me i lujt gurët, se humbët besimi!
E di se ke dashtë, por para se ministresha t’arsyetohej, nevojë ke pasë me pyet Amerikën çka po thotë, e mandej me folë a ban a s’ban!
Tjetër herë mos thuej dua, por përdore fjalën: Ndoshta, dhe mbaje mos t’luhatet kandari, se boçat mund t’fluturojnë nji ditë!
Fola se flamujt po ngulën e po shkulën e fjalët kurrë s’po lëpihen!