Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zgjedhur Mensut Ademin, kandidat në garën për kryetar të komunës së Vushtrrisë.
Kryetari i partisë në mbledhje me kryesinë kanë diskutuar rreth zgjedhjeve lokale dhe kandidaturave të tjera, ndërsa për Ademin, Ramush Haradinaj, ka paraqitur një pasqyrë të shkurtë të jetës së tij.
“Profesor Mensuti është Doktor i Shkencave Penale dhe Kriminologjisë, ligjërues në disa universitete publike e private në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Evropë dhe Amerikë. Ai është themelues i Asociacionit të Kriminologëve të Kosovës (AKK), Kriminologëve të Ballkanit Perëndimor (ËBC), e gjithashtu është anëtar i shoqatave të kriminologëve në Amerikë, Evropë e Azi. Ka punuar në implementimin e shumë projekteve nacionale dhe ndërkombëtare në fushën e kriminologjisë”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërkaq, kryesia e AAK-së ka kërkuar heqjen e masave dhe hapjen e plotë të të gjithë sektorëve të ekonomisë.
“Gjithashtu Kryesia e AAK-së diskutoi për nevojën e menjëhershme të sigurimit të vaksinave për grupet e rrezikuara, si dhe për heqjen e masave, duke nisur nga ndalim qarkullimi i qytetarëve e deri te hapja e plotë e të gjitha sektorëve të ekonomisë”, ka shkruar Haradinaj.