Hasani: Kurti e vendos reciprocitetin me Serbinë kur dëshiron ta rrëzojë Qeverinë e vet

Aktuale

Hasani: Kurti e vendos reciprocitetin me Serbinë kur dëshiron ta rrëzojë Qeverinë e vet

Më: 26 maj 2021 Në ora: 01:03
Bajram Hasani

Bajram Hasani nga AAK-ja ka thënë se kryeministri Albin Kurti do ta vendosë reciprocitetin me Serbinë kur dëshiron ta rrëzojë vetën.

Sipas tij, kjo do të ndodhë pas presionit të vendosur nga BE-ja.

“Reciprocitetin e përdorën për fushatë. Nëse kjo Qeveri do të jetë jetëgjatë nuk mund ta bëjë, sepse s’do ta lejojnë reciprocitetin. Kurti do ta heqë atë kur do të dojë ta rrëzojë Qeverinë vetë. Dhe këtë do ta bëjë për çështje të konsumit politik sesa që t’i vendosë masa Serbisë”.

Hasani, i cili ishte edhe ministër i Tregtisë, ka thënë se reciprociteti duhet vendosur kur shtetet njihen mes vete, sepse Kosova në CEFTA nuk është e barabartë dhe s’ka të drejtë vote.

“Ne kemi probleme edhe me shtetet e rajonit. Bllokimi është i gjithanshëm nëse ne vendosim reciprocitet ndaj Serbisë”.

Hasani në Edicionin Special ka thënë se Kurti ka me qenë më i dëgjueshëm se krejt liderët e deritashëm.

“Ai i ka dëgjuar BE-në, shqetësim për mua është që s’po i dëgjon amerikanët”.

Megjithatë, Hasani nuk ka treguar prerazi nëse është pro reciprocitet me Serbinë.

“Reciprociteti s’është formë e duhur. Kosova ka mekanizma ligjorë që s’mund t’i kundërshtojë BE-ja. Masat mund të vendosen që mbrojnë prodhuesit vendorë pa rënë ndesh me tregtinë e lirë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat