MSH jep detaje për takimin e sotëm rreth lehtësimit të masave, nuk përmend orare e as data

Aktuale

MSH jep detaje për takimin e sotëm rreth lehtësimit të masave, nuk përmend orare e as data

Më: 26 maj 2021 Në ora: 12:25
Arben Vitia

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje rreth takimit të sotëm që ka zhvilluar ministri Arben Vitia me kryetarët e komunave.

Sipas njoftimit nga MSH thuhet se ministri Vitia i informoi kryetarët e komunave për gjendjen e përditësuar epidemiologjike dhe rrjedhën e procesit të vaksinimit.

“Në përputhje me rekomandimet e IKShPK-së dhe ekspertëve shëndetësor, Ministri Vitia theksoi se sipas analizës epidemiologjike, jemi duke planifikuar lehtësimin e  masave parandaluese konform realitetit në terren, gjithmonë duke tentuar balancën mes shëndetit publik dhe Ekonomisë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i MSH-së:

Sot, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi kanë mbajtur një takim virtual me Kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës me qëllim të koordinimit ndërinstitucional në përballje me pandeminë Covid-19.

Ministri Vitia i informoi kryetarët e komunave për gjendjen e përditësuar epidemiologjike dhe rrjedhën e procesit të Vaksinimit. Ai theksoi se gjatë kësaj jave pritet një kontigjent prej rreth 100 mijë dozave përmes Aleancës COVAX, kështu që gjatë muajve të ardhshëm të arrijmë t’i vaksinojmë popullatën më në rrezik.

Duke marrë parasysh që ndikimi i COVID-19 përveç në shëndetin publik ka shtrirë ndikimin  e tij edhe në ekonomi dhe duke veçuar rëndësinë e vizitës së diasporës në Kosovë, është tejet e rëndësishme që ne të arrijmë të vaksinojmë sa më shumë qytetarë deri në verë.

Kryetarët e Komunave u informuan se po bëhen përgatitjet dhe planifikimet për planin e ri të veprimit.  Ky proces nuk mund të realizohet pa bashkëpunimin e ngushtë me komunat e Kosovës, me theks të veçantë, me Kryetarët dhe Shtabet Komunale Emergjente andaj dhe kërkoi përkushtimin e tyre dhe kapaciteteve komunale ndaj Drejtorive të Shëndetësisë dhe Mbrojtës Sociale dhe Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Gjithashtu në përputhje me rekomandimet e IKShPK-së dhe ekspertëve shëndetësor, Ministri Vitia theksoi se sipas analizës epidemiologjike, jemi duke planifikuar lehtësimin e  masave parandaluese konform realitetit në terren, gjithmonë duke tentuar balancën mes shëndetit publik dhe Ekonomisë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat