Greqia është e gatshme të rrisë nivelin e marrëdhënieve me Kosovën, por jo edhe të njohë Kosovën, mësohet nga një non-paper që i është dorëzuar Ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Në dokumentin që e ka siguruar të cilin Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë i ka dorëzuar Zyrës së Kosovës në Athinë, Greqi, propozohet që zyra të quhet “Zyra e Interesave të Kosovës në Athinë” dhe se ky riemërim do të bëhet pa prejudikuar qëndrimin e Greqisë ndaj statusit të Kosovës.
Ndryshimi kryesor, sipas këtij non-paper, është se Shefi i Zyrës si dhe zyrtarët tjerë të saj, do të mund të vizitojnë Ministrinë e Jashtme të Greqisë dhe të mbajnë takime me zyrtarët e Ministrisë që janë kompetent për çështjet relevante për aktivitetet e Zyrës.
Por, zyra përsëri nuk do të ketë status diplomatik apo konsullor dhe stafi i saj nuk do t’i gëzojë privilegjet dhe imunitetet që i gëzon stafi i misioneve diplomatike e konsullore të akredituara në Greqi. As zyra e as veturat e shfrytëzuara nga Zyra nuk do të mbajnë simbole shtetërore dhe korrespondenca me autoritetet greke do të bëhet me dokumente që nuk përmbajnë simbole shtetërore.
Javët e fundit, mediat e rajonit kanë shkruar se Greqia është duke shqyrtuar njohjen e shtetit të Kosovës.
Më 4 qershor, Ministri i Jashtëm i Greqisë do të vizitojë Kosovën. Kjo është hera e dytë që një Ministër i jashtëm i Greqisë viziton zyrtarisht Kosovën.