​IPK rekomandon suspendimin e katër zyrtarëve policorë në Gjilan

Aktuale

​IPK rekomandon suspendimin e katër zyrtarëve policorë në Gjilan

Më: 27 maj 2021 Në ora: 17:20
Foto ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë, punonjës në Njësinë e Reagimit të Shpejtë- Gjilan, me dyshimin se kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Rasti kishte ndodhur më 22.05.2021 rreth orës 22:00 në një lokal në Gjilan, ndërsa IPK hetimet mbi rastin i ka filluar dy ditë më herët pasi pranuan një ankesë nga një qytetar i cili pretendonte se ndaj tij dhe tre qytetarëve të tjerë ka pasur tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.

Rekomandimi për suspendimin e zyrtarëve policorë ka ardhur pas analizimit të ankesës dhe shkresave tjera, raporteve mjekësore dhe fotografive, të cilat IPK i ka siguruar gjatë veprimeve hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore Gjilan.

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat