Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni thotë se qëndrimet e partisë së saj, sa i përket formimit të Gjykatës Speciale kanë qenë gjithmonë të njëjta dhe nuk kanë ndryshuar asnjëherë.
Ajo tha se VV ka qenë gjithnjë kundër krijimit të kësaj gjykate.
“Ne kemi qenë kundër krijimit të Gjykatës Speciale qysh nga fillimi, atëherë kur ne quheshim qoftë tradhtarë qoftë me lloj-lloj epitetesh pikërisht prej të njëjtit persona që pastaj kërkonin zhbërjen e gjykatës speciale dhe na akuzonin pse ne nuk po e votojmë një gjë të tillë.”
Kryeziu-Hyseni thotë se nuk është e mundur as zhbërja e saj.
“Gjykata Speciale është jashtë Republikës së Kosovës dhe ka kompetenca të plota, do të thotë ne si shtet nuk kemi asnjë kompetencë në këtë gjykatë, në fakt as ta zhbëjmë nuk mundemi(…) as praktikisht e as teorikisht nuk mundet me ndodh një gjë e tillë, do të thotë është dashur të mendohet shumë më thellë dhe më në detaje kur ka ardhur ideja e krijimit të një Gjykatë Speciale”, tha ajo.