Zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, bashkë me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të hënën, pritet të qëndrojnë njëkohësisht për vizitë zyrtare në Kosovë.
Burimet tregojnë se Palmer dhe Lajçak, në këtë vizitë të përbashkët në Prishtinë, pritet që gjatë të hënës të takojnë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Takime pritet të kenë edhe me krerët e institucioneve tjera.
Ndonëse takimet parashihen për të hënën, arritja e tyre në Kosovë parashihet të ndodhë një ditë para.
Kjo vizitë e paparalajmëruar e Palmer dhe Lajçak në Prishtinë, pritet të ndodhë pak para rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi, që ndonëse nuk ka datë zyrtare pritet që të rinisë pas pak javësh, në qershor të këtij viti.
Një ditë më parë, Lajçak ka pritur në zyrën e tij në Bruksel Palmerin ku temë diskutimi patën edhe Ballkanin Perëndimor.
“I lumtur të mirëpres mikun tim të mirë Matt Palmer në Bruksel sot. Nuk është për t’u habitur që ne folëm për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun”.