Aktivisti Rron Gjinovci ka reaguar pas deklaratës së kreut të SBASHK’ut, Rrahman Jasharajt, i cili tha se s’do të lejojë mbajtjen e një testi për mësimdhënës.
Sipas Gjinovcit, alternative për këtë është përjashtim masiv nga puna dhe hapja e vendeve të punës për të diplomuarit e rinj.
“Alternativa: Perjashtim masiv nga puna dhe hapje e vendeve te punes per te dimplonuarit e rinj”, ka shkruar Gjinovci.
Ndryshe, Jasharaj ka thënë se MASh-i vlerësimin mund ta bëjë vetëm përmes inspektorëve profesional dhe jo në ndonjë mënyrë tjetër.
“Ne kemi kërkuar që MASh-i ta forcojë sektorin e inspektorëve dhe të dërgohen inspektorët profesional në klasë në mënyrë që ta shohin nga afër performancën e secilit mësimdhënës. Besoj që MASh-i e ka këtë ide të vlerësimit të performancës dhe punës së punëtorëve arsimorë në shkollat e Kosovës. Ne nuk jemi kundër që inspektorët profesional të shkojnë në klasë dhe ta shohin nga afër punën e secilit mësimdhënës. T’i këshillojnë ata që dobësitë individuale t’i heqin dhe të u japin këshilla se si të avancojnë edhe më shumë në procesin mësimorë dhe të arrihen suksese edhe më të mëdha”, deklaroi ai.
Kryesindikalisti madje ka kërcënuar se një test i tillë nuk do të mbahet kurrë.
“Kushdo që ka ide për test me shkrim të njohurive të mësimdhënësve le ta dijë që SBAShK-u do të kundërshtojë dhe një test i tillë as nuk është mbajtur dhe as nuk do të mbahet kurrë. Nëse duan të i shohin nga afër mësimdhënësit e Kosovës, MASh-i le të dërgojë ekspertë profesional dhe ta shohin punën e tyre”, ka thënë ai.