Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas arritjes së marrrëveshjes në mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Pfizer, për sigurimin e mbi 1 milion vaksinave.
Osmani këtë e cilësoi si një arritje të jashtëzakonshme dhe e përgëzoi në veçanti Ministrinë e Shëndetësisë.
“Me sigurimin e kësaj sasie të konsiderueshme të vaksinave, do të arrijmë të mbrojmë shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe të trasojmë rrugën e sigurt për hapje të ekonomisë”, shkroi presidentja Osmani në Facebook, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Sot, Kosova arriti marrëveshje me Pfizer për mbi 1 milion e 213 mijë vaksina. Përkundër sfidave fillestare, pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të institucioneve të Kosovës, do të kemi sasi të mjaftueshme të vaksinave për të filluar vaksinimin masiv të qytetarëve tanë.
Përgëzoj në veçanti Ministrinë e Shëndetësisë për këtë arritje të rëndësishme. Me sigurimin e kësaj sasie të konsiderueshme të vaksinave, do të arrijmë të mbrojmë shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe të trasojmë rrugën e sigurt për hapje të ekonomisë.
Deri në përmbylljen e vaksinimit masiv, ju ftoj që të kujdeseni për veten si dhe për më të dashurit tuaj. Të kemi besim në njëri-tjetrin. Të kemi besim se këtë sfidë të rëndë do ta tejkalojmë së bashku!