Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, i ka dalë në mbrojtje të parit të kësaj partie dhe kryeministrit Albin Kurti, pas akuzave nga rivalë politikë se ai s’ka qenë pjesë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në Interaktiv, Hyseni ka thënë se kontestimi i të kaluarës së Kurtit bëhet vetëm nga “rivalët politikë që kanë humbur argumentet tjera”.
“I tërë opinioni publik në Kosovë dhe faktori ndërkombëtar që ishte në bisedime atë kohë e di që Albin Kurti ka qenë pjesë e zyrës së Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. I kontestohet nga njerëz të politikës, konkurrentët politikë që kanë humbur argumentet tjera, dhe mundohen ta sfidojnë në këtë drejtim, por ne e dimë veprimtarinë e zotit Kurti qoftë më herët para se me qenë në zyrë, por edhe gjatë funksionimit të Zyrës së përfaqësisë politike të UCK-së, në të cilën kam shërbyer edhe unë për kohë të gjatë”, ka thënë ai.
Ndërsa për deklarimet e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në drejtim të Kurtit se “është i rekrutuar nga Serbia”, Hyseni ka thënë se kjo është “huqje e madhe”.
“Ka plot dëshmitarë që tregojnë për vuajtjet e Albinit në burgjet e Serbisë. Mendoj se këto deklarata s’kanë vend në shoqërinë tonë. S’ka teori të tilla që mund të zënë vend në kokat e njerëzve në Kosovë. Secili që ka qenë në burg me Albinin i ka të qarta qëndrimet e tij dhe vuajtjet që ka pësuar në burgje, më vjen keq për Haradinajn por më duket se është huqje e madhe në deklarimet e tij dhe s’është e para. Mjerisht po vazhdon me ato huqje”, është shprehur ai.