Këshilli i Bashkimit Evropian ka përpiluar raportin për darkën joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
Media e ka siguruar dokumentin e plotë si dhe të gjitha pikat që përmenden në raport.
Një prej pikave në raportin e BE-së, flet për bashkëpunimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Gjykatën Speciale.
Raporti i BE-së, thekson se Kurti ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur zgjatjen e mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë.
“Angazhimi serioz i z. Kurti për të vazhduar bashkëpunimin në mënyrë konstruktive me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special do të vlerësohet shumë brenda BE-së. Gatishmëria e tij për të mbështetur zgjatjen e mandatit të EULEX-it është e mirëseardhur dhe hap i rëndësishëm që do të ndihmojë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special për të përmbushur mandatin e tyre në Kosovë”, thuhet në raportin e BE-së.
Dokumenti i siguruar i është dërguar të gjitha shteteve anëtare të BE-së, për t’i informuar rreth mbarëvajtjes së takimit.