Ministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit Liburn Aliu, tha se kanë marrë dy vendime të rëndësishme.
Vendimi i parë sipas tij që është miratuar nisma legjislative për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-132 për automjete.
"Ky projektligj është në harmonizim të plotë me legjislacionin e BE-së dhe parasheh që detyrimet për homologimin e mjeteve rrugore të reja dhe të përdorura të hiqen", tha Aliu.
Ministri shtoi se tanimë është në duart e deputetëve të Kuvendit të Republikës që ta jetësojmë këtë nismë ligjore që është në të mirën e përgjithshme të qytetarëve.
Vendimi i dytë sipas ministrit Aliu është në përputhshmëri me nenin 8 dhe 9 të Ligjit Nr. 04/L-060 për Mbeturina, është miratuar Hartimi i Strategjisë (2021-2030), si dhe Plani i Veprimit (2021-2023) për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave në Kosovë, ku do të trajtohen të metat dhe kufizimet aktuale në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, duke i përcaktuar dhe realizuar katër objektiva strategjike e specifike për menaxhimin e integruar të mbeturinave, caqet dhe indikatorët për sektorin e menaxhimit, si dhe riciklimin e mbeturinave.
"Synimi jonë është që të arrihet një zhvillim i integruar dhe i qëndrueshëm mjedisor në harmoni të plotë me normat dhe standardet evropiane, pasi që besojmë se përmirësimi i sistemit te menaxhimit të mbeturinave në Kosovë është jetik për shëndetin publik, zhvillimin social dhe ekonomik të vendit",tha ministri Liburn Aliu.