Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme ishte në qytetin e Gjakovës, ku i vështroi nga afër ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në aktivitetet stërvitëse të “Defender Europe 21”.
Por ndryshe nga dita e djeshme, ku paraqitej nga ushtrimet e FSK-së, në mbrëmje Kurti duket se është marrë me diçka më të ëmbël, muzikën.
Kurti, përmes një shkrimi në rrjetin social Instagram njoftoi se ishte në shfaqjen Harkore të Filharmonisë së Kosovës me dirigjenten nga Kërçova, Agona Çupi.
"Reflektorët e kuq në murin gëlqeror na e përkujtonin Sallën e Kuqe në këtë Sallën e Bardhë të Pallatit të Rinisë. Po të ishte performimi i “The Rite of Spring” i Stravinskit ndoshta cicërima e zogjëve që vinte bashkë me dritën nga ana e majtë nuk do të na pengonte. E, megjithatë Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës me dirigjenten nga Kërçova, Agona Çupi, nuk më shqiten nga mendja as sot për shkak të ekzekutimeve plot pasion që ua bënë mbrëmë veprave të Karl Jenkins, Jean Sibelius dhe Benjamin Britten, kurse veçantia e koncertit ishte vepra 'Folk Suite' e kompozitorit tonë të talentuar Drinor Zymberi.Krijuesit dhe performuesit tanë vazhdojnë të jenë pjesë aktive e skenës botërore të muzikës.Salla e Bardhë, për dallim nga ajo e Kuqja, nuk ka binë. Paradoksalisht kjo reflektohet në vëllim më të madh të tingullit. Por, natyrisht se kjo nuk është zgjidhje, madje as për zogjtë...", shkruan Kurti.