Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kompania të cilës ia kanë shkëputur kontratën për shkak se, sipas saj, ishte e lidhur me shkelje të rënda ligjore, pavarësisht vendimit të Ministrisë, ka rifilluar punimet në pronën “Vicianium” në Vushtrri.
Haxhiu ka shkruar se kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, nuk duhet të lejojë keqpërdorimin e pronës publike.
Gjatë ditës së djeshme poashtu, Haxhiu, e ka kërcënuar me ngritje të kallëzimit penal ndaj kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirin, në rast se nuk ndalen punimet e ri-filluara nga kompania, së cilës i është ndërprerë kontrata, në pronën e “Hotel Vicianum”.
E zëvendës ministri i Drejtësisë Blerim Sallahu, ka thënë se në kohën e Qeverisë Hoti, kjo pronë e MD-së, i është dhënë në shfrytëzim një personi fizik, i cili më pastaj ka regjistruar biznesin në ARBK.
Ai në Facebook, ka shkruar se kjo ka ndodhur kur Qeverinë e ka udhëheq LDK-ja e Xhafer Tahirit, derisa e ka quajtur veprim kriminal.
Shkrimi i plotë:
Në kohën e Qeverisë Hoti, prona e Ministrisë së Drejtësisë, i është dhënë në shfrytëzim një personi fizik, i cili më pastaj ka regjistruar biznesin në ARBK. Ky veprim kriminal ka ndodhur kur Qeverinë e ka udhëheq LDK-ja e Xhafer Tahirit.
Xhafer Tahiri, nuk ia ka kërkuar atëherë këtë pronë Qeverisë së Hotit, madje asnjë reagim të tij nuk e kemi parë sepse parimi i tyre ka qenë i qartë; shteti dhe asetet e tij janë për t'u vjedhur e plaçkitur.
Pikërisht kjo ka ndodhur, e kanë kaluar pronën shtetërore në shfrytëzim të një operatori ekonomik në mënyrë që ky i fundit përmes asaj kontrate kriminale të jap në shfrytëzim një pjesë të asaj prone, Komunës së Vushtrrisë, për ndërtimin e stacionit të autobusëve dhe për këtë Komuna ka qenë e obliguar ta paguajë qiranë.
Nuk është qëllimi te stacioni i autobusëve, por për stacion të krimit e korrupsionit. Këtë nuk do ta lejojmë!