Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kompania të cilës ia kanë shkëputur kontratën për shkak se, sipas saj, ishte e lidhur me shkelje të rënda ligjore, pavarësisht vendimit të Ministrisë, ka rifilluar punimet në pronën “Vicianium” në Vushtrri.
Haxhiu ka shkruar se kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, nuk duhet të lejojë keqpërdorimin e pronës publike.
“Vendimi i Ministrisë është mbi çfarëdo vendimi që ka marrë Komuna për t’ju përshtatur interesave të atyre që janë përgjegjës për këtë dëmtim të pronës. Prona duhet të mbrohet”.
Por cili është historia e kësaj kontrate dhe cili është i 'forti' që po e sfidon vendimin e ministres Haxhiu, për ndërprejen e punimeve?
Syri përmes burimeve të veta para disa javësh kishte zbuluar kontratën për të cilën njoftonte aso koheministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kontratë kjo e cila pretendohet se është lidhur kundërligjshëm.
Fjala është për një pronë të MD-së në Vushtrri e cila ishte nënshkruar nga Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi dhe ish-ministrit të Drejtësisë Selim Selimi.
Lidhur me këtë media solli detaje ekskluzive:
2 hektar e 12 ari e 17 metra katror në zonën ku ka qenë i ndërtuar hoteli ‘Viciano’ në Vushtrri, pretendohet se janë dhënë kundërligjshëm në shfrytëzim nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Kontrata në fjalë është nënshkruar me datën 02.11.2020 mes Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Jahë Osmani, derisa çmimi total i kontratës është 381.600 euro në kohëzgjatje prej 15 viteve.
Media, poashtu nga burime të mirinformuara mësoi se, pronari Jahë Osmani, pas marrjes me qera të kësaj hapësire, të njëjtën ta jap me qira për disa kompani me emër në Kosovë, të cilat do të operojnë në atë pjesë të parcelës së kontraktuar.
Sipas burimit, përveç Stacionit të Autobusëve që planifikohet të ndërtohet në atë zonë, aty priten të operojnë edhe katër biznese të mëdha (emra të njohur për redaksinë), të gjitha këto të dhëna me qira nga pronari i parcelës, Jahë Osmani.
Por kush është Jahë Osmani?
Jahë Osmani, banor i Vushtrrisë, ushtron funksionin e menagjerit në kompaninë Britania Homes, e cila merret me ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore.
Pronar dhe aksionar në këtë kompani janë Adriatik Azemi dhe Alban Osmani, derisa ky i fundit është edhe vëllau i Jahës, nënshkruesit të kontratës për shfrytëzimin e parcelës ku gjendej para pak kohe hoteli ‘Viciano’.
E kaluara e errët e Jahë Osmanit dhe bashkëpunimi i tij me kriminelin serb më të madh në veri
Ishte viti 2012 kur emri i Jahë Osmanit u përmend për herën e parë në Kosovë.
Ishte një dosje e EULEX-it pas të cilën njeriu që u shpërblye nga institucionet e drejtësisë, u arrestua.
Raporti për të i vitit 2012 ishte zi e terr.
Biznesmeni, emri i të cilit tashmë është i njohur për të gjithë kishte bashkëpunuar me Zvonko Veselinoviqin, kriminelin më të madh serb që e kishte në dorë veriun e Kosovës.
Në vitin 2012, Jaha bashkë me vëllain e tij Alban Osmanin dhe disa biznesmenë të tjerë nga Vushtrria, ranë në dorën e EULEX’it.
Ishte po ai vit, kur Enver Tahiri, Jahë Osmani dhe Vesat Imeri, të gjithë biznesmenë, ishin vendosur në arrest shtëpiak për 30 ditë, pasi gjyqtari i procedurës paraprake i EULEX vendosi që ekzistojnë bazat për të mbështetur pretendimet e prokurorëve se të gjashtë janë pjesë e një krimi të madh të organizuar grupi.
Bashkë me ta, ishin edhe biznesmeni Mentor Beqiri, vëllai i tij, Albert dhe një biznesmen tjetër, Halil Hasani. Edhe këta u arrestuan.
“Gjashtë të dyshuarit akuzohen për krim të organizuar, evazion fiskal, evazion mashtrues të detyrimit të importit dhe akcizës dhe pastrimit të parave. Ata të gjithë dyshohen se kanë marrë pjesë në kontrabandën e karburantit në Kosovë”, thuhej atëkohë në deklaratën e EULEX-it.
Të gjashtë besohet se ishin të përfshirë dhe partnerë të ngushtë të biznesmenit serb të Kosovës Zvonko Veselinoviç.
Operacioni policor, sipas EULEX-it, atëkohë u realizua si pjesë e një hetimi të madh në kontrabandën e benzinës nga veriu i Kosovës i drejtuar nga serbët në komunat jugore të vendit.
Sipas EULEX-it, gjatë operacionit policor të 29 majit të vitit 2012 shumë të makinave luksoze dhe sende të tjera u konfiskuan të dyshuarve.
Mentor Beqiri, i cili jeton në Vushtrri, dyshohet të jetë kontakti kryesor me Veselinoviç në biznesin e benzinës.
Të gjashtë burrat, sipas prokurorisë, në një ndërmarrje të përbashkët me Veselinoviç krijuan një zinxhir të stacioneve të benzinës me emra të ndryshëm si "BT Petrol", "Jamo", "Mab", "Oil Kosova".
Një vit para se EULEX t’i arrestonte këta, një artikull i Neë York Times mbi kontrabandën në Kosovë i referohej Veselinoviç dhe Mentor Beqiri si figura të përfshira në këtë tregti.
Beqiri u arrestua më herët në 2006, 2007 dhe 2009, por asnjë akuzë nuk u ngrit kundër tij.
Dëmi që ka pësuar Kosova nga kjo kontrabandë veri-jug besohet të arrihet deri në 400 milionë euro.
Sekretet që fshihen brenda objektit për të cilin alarmoi Albulena Haxhiu
Dikur ishte hoteli më njohur në Vushtri, por pas vetës la vetëm gojëdhëna dhe disa fotografive të pakta që datojnë nga viti 1972.
E shkatërruar tërësisht, duke mos lënë asnjë shenjë se dikur aty gjendej njëri prej hoteleve më të famshme të Vushtrrisë, parcela ku gjendej Hotel Viciano tanimë nuk jep përshtypjen se aty dikur gjendej një objekt, me të cilin krenoheshin vushtrriasit.
Derisa në vitin 1972, shkruhej për të se ishte njëri prej hoteleve më të bukura, por sot situata qëndron ndryshe.
Media iu sjell pamje satelitore të hotel Vicianos, parcela e të cilit shkaktoi bujë të madhe, pas publikimit të skandalit me nënshkrimin e një kontrate të jashtëligjshme siç pretendon ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.